Oficerët e Speciales s’e kishin lënë Veselin të qëndronte vetëm as me nënën herën e fundit kur e pa gjallë

Sot ndërroi jetë nëna e njërit prej themeluesve të UÇK-së, Kadri Veseli.

Para gjashtë muajsh, saktësisht më 7 korrik atij i kishte vdekur edhe babai.

Tri ditë më pas, Veseli do të vinte në Kosovë për të qëndruar afër familjes së tij në ato momente të rënda që po përjetonte.

E ato ditë ai e kishte takuar për herë të fundit nënën e tij.

Por, siç bëhej e ditur në raportin e Speciales për vizitën e Veselit , Veseli as në ato momente nuk ishte lënë vetëm me nënën gjatë takimit, pasi që dikush nga zyrtarët e Speciales e kishte shoqëruar vazhdimisht.

“Pas mbërritjes së tij në Kosovë më 10 korrik 2021, Z. Veseli vizitoi vendin e varrit të babait të tij në shoqërinë e një oficeri shoqërues. Menjëherë pas kësaj, Z. Veseli u transportua për të vizituar nënën e tij. Veseli së pari vizitoi nënën e tij, dhe pastaj u takua me dy grupe të vogla vizitorësh të autorizuar, pas verifikimit të identitetit. Grupi i parë i vizitorëve përbëhej nga gjashtë anëtarë të familjes së ngushtë dhe një i afërm i shkallës së dytë. Grupi i dytë i vizitorëve përbëhej nga katër anëtarë të familjes së afërt. Z. Veseli nuk ishte lejuar të jetë vetëm me nënën e tij ose ndonjë nga anëtarët e mësipërm të familjes në çdo kohë, dhe asnjë person i paautorizuar nuk është lejuar të ketë kontakte me z. Veseli gjatë vizitës. Vizitat u kryen në sytë dhe brenda dëgjimit të zyrtarit kryesor të kujdestarisë dhe / ose oficerit (eve) shoqërues, me ndihmën e një përkthyesi të Gjykatës”, thuhej në raportin e Speciales.

Një ditë më vonë ai do të takonte edhe persona tjerë.

Veseli është në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

Ai humbi të dy prindërit duke e pasur të pamundur të jetë pranë familjes së tij.

Veseli pritet që sot të bëj kërkesë për vizitë në Kosovë, teksa mbetet të shihet se kur do të aprovohet e njëjta.

Go to TOP