Nis ndalesa e pagave për punëtorët që s’punojnë 

Aleksandri, një qytetar serb nga veriu i Mitrovicës, ka “punuar” në Ministrinë e Arsimit të Kosovës nga janari i vitit 2016. Në punë, nuk ka shkuar asnjë ditë, por rrogën e ka marrë rregullisht.

Kjo praktikë është ndërprerë vetëm pas gjashtë vjetësh – në shkurt të këtij viti, kur Ministria e Arsimit nuk ia ka ndarë rrogën.

Aleksandri ishte punësuar në ministri pas një marrëveshjeje që Kosova dhe Serbia kishin arritur në Bruksel, për integrimin e pjesëtarëve të të ashtuquajturës Mbrojtje Civile.

Mbrojtja Civile ka qenë një strukturë paralele e Serbisë në veri të Kosovës, e cila është shpërbërë në vitin 2015, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

InfografikëSi u krijua Mbrojtja Civile në veri?

Pas kësaj marrëveshjeje, qindra pjesëtarë të kësaj strukture janë punësuar në institucionet e Kosovës.

Duke folur për REL, Aleksandri – emri i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë tonë – thotë se kontaktin e parë dhe të fundit me punëdhënësin e tij – në këtë rast Ministrinë e Arsimit të Kosovës – e ka pasur më 5 janar të vitit 2016.

Që nga ajo kohë, ai nuk është angazhuar asnjëherë në punën që i është ndarë.

“Unë kam qenë vetëm atëherë në Prishtinë, e gjitha ka zgjatur pak kohë dhe që atëherë nuk kam pasur asnjë telefonatë nga ministria dhe asnjë kontakt”, thotë Aleksandri.

Për gjashtë vjet me radhë, ai dhe 31 serbë të tjerë kanë marrë paga nga Ministria e Arsimit, pa punuar as edhe një ditë të vetme.

Por, gjithçka ka ndryshuar muajin e kaluar, kur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë nuk i ka ekzekutuar pagat për këta punëtorë.

Me ta kuptuar këtë, Aleksandri thotë se së bashku me punëtorët e tjerë kanë bërë ankesë në ministri.

Sipas tij, ministria, me të cilën ka pasur kontratë, nuk i ka ofruar kushte të punës, pasi, siç thotë, ai është dashur të angazhohet në punë në pjesën veriore të Kosovës, ku edhe jeton.

Në anën tjetër, MASHTI thotë se për ndërprerjen e pagave të ish-pjesëtarëve të Mbrojtjes Civile ka marrë shkas vërejtjen nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për ekzekutim të pagave për punëtorët që nuk dalin në punë.

“Pas gjetjeve të auditorit, si ministri, menjëherë kemi reaguar dhe zyrtarët përgjegjës janë marrë me këtë rast”, thuhet në një deklaratë të MASHTI-t dërguar REL.

ZKA-ja e ka përsëritur vërejtjen e njëjtë për këtë ministri në të paktën tri raporte, gjegjësisht në vitet: 2018, 2019 dhe 2020, por nga MASHTI konfirmojnë se punëtorët nuk kanë dalë në punë që nga emërimi i tyre, më 2016.

Shpenzimet vjetore për pagat e tyre, sipas raportit të ZKA-së, kanë qenë afro 135,000 euro.

Për gjashtë vjet, i bie që ministria të ketë paguar rreth 810,000 euro paga për ta.

Kush ishte Mbrojtja Civile?

Mbrojtja Civile ka qenë një strukturë paralele, e themeluar në veri të Kosovës në vitin 2006. Pjesëtarët e saj, mes tjerash, kanë qenë përgjegjës për ngritjen e barrikadave në atë zonë, me qëllim pengimin e lëvizjes së lirë.

Kjo strukturë ka pasur më shumë se 700 anëtarë, ndërsa me marrëveshjen e arritur në Bruksel është paraparë që institucionet e Kosovës të ofrojnë 483 pozita pune në veri të vendit, për t’i integruar këta persona në sistemin e Kosovës.

Në korrik të vitit 2015, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ta zbatuar këtë marrëveshje dhe, në muajt në vazhdim, këta punëtorë kanë marrë kontrata në institucione të Kosovës – nga ministritë deri tek agjencitë e shtetit me veprimtari lokale.

Më 28 dhjetor të vitit 2016, janë përuruar disa zyra të parapara për punëtorët e integruar në veri, ndërsa në mbrëmjen e së njëjtës ditë, në objektin ku gjendeshin zyrat, janë hedhur mjete shpërthyese, të cilat i kanë dëmtuar ato.

Që nga ajo kohë, nuk ka pasur ndonjë përpjekje tjetër të Qeverisë së Kosovës për hapjen e këtyre zyrave dhe kjo ka qenë arsyeja përse shumë prej të emëruarve për punë në institucionet e Kosovës, me vite, kanë marrë paga pa punuar.

Zyra Kombëtare e Auditimit(ZKA) ka përmendur në disa raporte të ndryshme mosangazhimin e punëtorëve të emëruar në disa ministri të Qeverisë së Kosovës.

Në vitin 2020, kjo çështje është përfshirë si vërejtje për Ministrinë e Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për Ministrinë e Kulturës, për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, si dhe për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Raporte për këtë çështje ka pasur edhe në vitet paraprake – të paktën nga viti 2017 e tutje – për ministri të ndryshme.

Gjatë gjashtë vjetëve të fundit, në Qeverinë e Kosovës ka pasur ristrukturim të ministrive dhe gjatë këtij procesi, edhe punëtorët janë bartur në ministritë përkatëse, duke bërë që të mos ketë një pasqyrë të qartë se si janë të shpërndarë punëtorët nëpër ministri.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë informacione lidhur me numrin e saktë të punëtorëve që nuk janë paraqitur në punë ndër vite dhe shumën totale që të gjitha institucionet së bashku e kanë paguar për këta punëtorë.

Jo të gjitha institucionet kanë “probleme” me punëtorët

Megjithatë, gjendja nëpër disa institucione është ndryshe. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) e Kosovës thotë për REL se i ka 8 zyrtarë serbë, të cilët punojnë dhe janë të akomoduar në Mitrovicën Veriore, në Leposaviq dhe në Zubin Potok.

Përveç tyre, të punësuar të rregullt ka edhe në disa agjenci që funksionojnë në kuadër të kësaj ministrie.

Nga kjo ministri thonë se probleme me mosparaqitjen në punë të punëtorëve ka pasur në të kaluarën.

“Në Agjencinë Pyjore të Kosovës, e cila po ashtu funksionon në kuadër të MBPZHR-së, nga gjithsej 18 të punësuar, 8 prej tyre janë larguar me Vendim të Komisionit Disiplinor në vitin 2017”, thotë MBPZHR-ja.

Me marrëveshjen e arritur në Bruksel, në Shërbimin Korrektues të Kosovës, që mbikëqyret nga Ministria e Drejtësisë, janë pranuar 27 zyrtarë serbë.

“Të gjithë zyrtarët e pranuar janë duke punuar me orar të plotë në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë”, bëjnë të ditur nga Ministria e Drejtësisë.

"Mbrojtja Civile" në Mitrovicë
Fotogaleri”Mbrojtja Civile” në Mitrovicë

Edhe nga Ministria e Infrastrukturës, e cila ka të angazhuar 32 zyrtarë, thonë për REL-in se “çdo javë pranojnë vijueshmërinë në punë nga zyrtarët në fjalë”.

Por, raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për këtë ministri thotë se, deri në muajin tetor, 2020, për këta të punësuar nuk ka pasur dëshmi të vijimësisë në punë.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në organizatën joqeveritare FOL, e cila bën fushatë kundër korrupsionit, thotë se është e papranueshme që njerëzit e angazhuar në institucione, të paguhen nëse nuk punojnë.

“Trajtimi i barabartë i të gjithë qytetarëve, njëherë e mirë, do të duhej të vendosej në të gjithë Republikën e Kosovës. Nuk duhet të kemi qytetarë që pa punuar asnjë ditë, gjatë tërë vitit të marrin paga”, thotë ajo.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thotë se problem kryesor në zbatimin e marrëveshjes për integrimin e serbëve është mungesa e hapësirave të punës për këta punëtorë.

“Kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me mosparaqitjen në punë”, thotë Zyra e BE-së dhe shton se pret, ashtu si për çdo marrëveshje të dialogut Kosovë-Serbi, “palët të bëjnë përpjekje shtesë” për zbatimin e tyre.

Go to TOP