AKB: Kundërshtimi i projekteve amerikane është kundër zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes euroatlantike të Kosovës
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar lidhur me zhvillimet politike në vend, duke theksuar se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të mbetet prioritet i çdo qeverie të ardhshme, shkruan Kosova.info.
Përmes një deklarate, AKB ka shprehur kundërshtimin ndaj qasjeve politike që, sipas saj, anashkalojnë bashkëpunimin me SHBA-në, duke vlerësuar se Kosova është ndërtuar dhe forcuar falë mbështetjes së vazhdueshme amerikane.
Sipas AKB-së, çdo vendim madhor politik, ekonomik dhe strategjik duhet të ndërtohet në koordinim të ngushtë me aleatin më të rëndësishëm të Kosovës. Organizata vlerëson se formimi i qeverive dhe politikat zhvillimore nuk duhet të bien ndesh me interesat strategjike të shtetit dhe partneritetin me SHBA-në.
Në deklaratë theksohet se kundërshtimi i projekteve që lidhen me investimet amerikane dhe sigurinë energjetike, përfshirë projektet e gazit amerikan, nuk i shërben zhvillimit ekonomik, forcimit të shtetit dhe integrimit euroatlantik të Kosovës.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se investimet amerikane dhe mbështetja e SHBA-së në fushën e energjisë janë jetike për të ardhmen ekonomike të vendit.
“Investimet amerikane, partneriteti strategjik me SHBA-në, projekti i gazit amerikan dhe mbështetja e saj për sigurinë energjetike janë jetike për të ardhmen ekonomike dhe euroatlantike të vendit tonë”, ka thënë Shahini.
AKB u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që interesin shtetëror ta vendosin mbi interesat partiake dhe të forcojnë bashkëpunimin me aleatët strategjikë, veçanërisht me SHBA-në, si garanci për zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.
