Nga QKUK-ja tregojnë gjendjen shëndetësore të dy të miturve që u therën me thikë dje në Obiliq

Dy të mitur nga Obiliqi janë pranuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pasi të njëjtit janë therur me thikë pas një përleshjeje fizike që kishin pasur me gjashtë persona, tre prej tyre të mitur.

Fitim Selimi, kirurg në Klinikën e Kirurgjisë Torakale ka thënë se gjendja shëndetësore e njërit prej dy pacientëve të shtrirë në këtë klinikë është stabile.

“Pacienti që është i pranum në Klinikë tek ne është jashtë rrezikut për jetë. Parametrat vital i ka në rregull, është në gjendje stabile. Me gjasë po shkon tash shumë mirë. Nuk mund të jap informacion për pacientin tjetër, i cili është në mjekimin intenziv qëndror. E kam përshtypjen që edhe ai është mirë”, deklaroi ai për mediumin.

Përgjatë ditës së djeshme u raportua për therjen me thikë të dy të miturve në Obiliq, për motive të panjohura, nga gjashtë persona.

Në raportin 24-orësh të Policisë bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur tri thika, një shufër metali dhe një boks hekuri.

“Janë arrestuar gjashtë (6) të dyshuar meshkuj kosovarë, tre (3) prej tyre të mitur, pasi që të njëjtit për motive (ende) të panjohura kanë sulmuar fizikisht me mjete të mprehta-thika, dy viktimat meshkuj koosvarë-të mitur, të cilëve u kanë shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në raport.

“Viktimat, janë dërguar për tretman në QKUK dhe sipas mjekëve gjendja e tyre është e rëndë. Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar;  tri (3) thika, një (1) shufër metali, dhe një (1) boks hekuri. Të dyshuarit, pas intervistimit me urdhër të prokurorit, të gjithë (6) janë dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar”, njoftohet më tej. 

Go to TOP