Nesër mbahet seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës, LVV heq dorë nga pozita e kryesuesit

Nesër me 5 janar asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës do të mblidhen për të zgjedhur kryesuesin.

Nëse i njëjti nuk zgjidhet gjatë ditës së nesërme, Kuvendi Komunal i Prishtinës shkon në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Pavarësisht se ka numrin më të madh të asamblistëve Lëvizja Vetëvendosje ka hequr dorë nga pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Asamblisti nga kjo parti Gëzim Sveçla thotë se zgjedhja e kryesuesit është përgjegjësi e Përparim Ramës.

“Është detyrë, përgjegjësi dhe obligim i kryetarit të sapo zgjedhur dhe partisë së tij LDK, që ta bëjnë konstituimin e asamblesë dhe rrjedhimisht është në duar të tyre që ta zgjedhin kryesuesin e Kuvendit”, deklaroi Sveçla.

Por se kush është propozuar për këtë pozitë nuk është bërë e ditur as nga LDK e as nga partia e tretë në Prishtinë, PDK.

LDK në zgjedhjet për asamble komunale ka arritur që të sigurojë 14 vende, por kjo nuk është e mjaftueshme për të zgjedhur kryesuesin e Kuvendit Komunal.

LDK-së i nevojiten edhe të paktën 12 vota nga subjektet tjera politike për të zgjedhur kryesuesin e Kuvendit.

Megjithëse kanë mbetur edhe 24 orë kur duhet të zgjidhet kryesuesi i Kuvendit, LDK ende nuk ka njoftuar për ndonjë marrëveshje me subjektet tjera.

Në lidhje me ftesën  që i është bërë Arben Vitisë për të drejtuar sektorin e Shëndetësisë në Prishtinë, nga LVV thonë se nuk kanë pranuar asnjëherë ndonjë ftesë të tillë.

“LVV ka një adresë. Kam dëgjuar Ramën për një ofertë të tillë, por në adresën tonë nuk ka ardhur ndonjë ftesë e tillë për Arben Vitinë apo për ndonjë bashkëpunim me LVV-në”.

Deri më tani është bërë publik vetëm emri i nënkryetarit Alban Zogaj dhe shefit të kabinetit, Vllaznim Osmani, por deri më tani nuk është publikuar emri i asnjërit prej 16 drejtorëve të drejtorive komunale.

Në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, kryesuesi i Kuvendit duhet të zgjidhet më së largu 30 ditë pas betimit të anëtarëve të asamblesë.

Comments

Be the first to comment on this article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Go to TOP