Molliqaj: Rryma është shtrenjtuar edhe për ata që shpenzojnë deri në 800 kWh

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se ZRRE-ja po mashtron lidhur me vendimin për shtrenjtimin e rrymës, për t’u ulur më pas sërish me bashkëpartiakët e tij, të cilët thonë se kushti për ta lëshuar hapësirën e Zyrës së Rregullatorit për Energji është publikimi i vendimin për shtrenjtimin e rrymës.

Molliqaj i tha kryesuesit të bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahut se s’mund t’i lënë të punojnë, pasi sipas tij, ata po mashtrojnë. Sipas Molliqajt, rryma është shtrenjtuar edhe për ata që shpenzojnë deri në 800 kWh në muaj.

“ZRRE nuk ka gatishmëri për ta publikuar vendimin. Ne i thamë a mundeni me na u përgjigj në pyetje sepse më herët keni mashtru. Ishin të gjitha mediat këtu dhe e pan që zyrtari ka mashtruar publikisht sepse çmimi i energjisë elektrike rritet edhe deri në 800 kWh”, tha ai.

Molliqaj thotë se ZRRE po e fsheh vendimin pasi që një pjesë të rritjes së çmimit të rrymës e paguan Qeveria.

“Por çka po tenton ZRRE është që rritjen e çmimit të energjisë elektrike që e paguan Qeveria e Kosovës mos me e bë publik për qytetarët, që me u duk që është rritë më pak. 25 milionë euro nga propozimi i parë n/ propopzimin e dytë janë rritur nga taksat e Kosovës për ZRRE-në, përkatësisht për KEDS-in”, tha ai.

Sipas tij, vendimi nuk po publikohet pasi është “superskandaloz”.

“Në këto raste do të duhej të vepronte menjëherë Prokuroria”, tha Molliqaj.

Go to TOP