MINT: Qytetarët po mashtrohen nga tregtarët

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar se gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik sa i përket produkteve ushqimore esenciale.

“Sipas të dhënave nga terreni, disa operatorë kanë zbrazur dje raftet e vajit ushqimor në pikat e shitjes me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit. Kurse sot kanë rikthyer këtë produkt me çmimin 3,49 euro për litër. Vaji ushqimor është importuar ditë më parë dhe fillimisht është shitur me çmim 1,50 euro për litër”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Sipas njoftimit, “këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, dhe se Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj”.

Më 10 mars, një litër vaj është shitur për 3.50 euro – nga më pak se 2.00 euro sa ka qenë dy ditë më parë.

Përveç çmimit të vajit, në tregun e Kosovës ditëve të fundit është ngritur edhe çmimi i bukës, miellit, derivateve të naftës, biletave të autobusëve dhe taksive.

Çmimet janë në trend të rritjes gjithandej, për shkak të krizës në tregje që ka shkaktuar pushtimi rus i Ukrainës.

Go to TOP