Merkel për luftën në Ukrainë: Luftë barbare, masakrat në Bucha e paraqesin më së miri tmerrin

6 muaj pas largimit nga politika, Angela Merkel, thyen heshtjen dhe rikthehet në vëmendjen publike me një fjalim në Berlin.

Ish kancelarja gjermane shprehu solidaritet me Ukrainën e sulmuar nga Rusia dhe mbështetje për të drejtën e vendit për vetëmbrojtje. Ky ishte një koment i rrallë i ish lideres gjermane, e cila shumë pak herë ka folur për konfliktin në Ukrainë.

Ajo tha se mbështet të gjitha përpjekjet e qeverisë gjermane, Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, G7-ës dhe Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund asaj që e konsideroi “një luftë barbare agresioni nga ana e Rusisë”.

Merkel shtoi se sulmi i Moskës është një shkelje e rëndë e të drejtës ndërkombëtare. Ajo foli edhe për shkeljet e të drejtave të njeriut duke thënë se “masakrat në Bucha e paraqesin më së miri tmerrin që ka ndodhur në Ukrainë.

Merkel nënvizoi rëndësinë e unitetit brenda BE-së duke rikujtuar se paqja dhe liria nuk duhet të merren kurrë si të mirëqena.

Go to TOP