Lutfi Haziri: Autostrada e Gjilanit ka stagnuar, mosinteresim total i komunës dhe qeverisë Kurti

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i degës së kësaj partie në Gjilan, Lutfi Haziri, ka folur në një konferencë për media lidhur me dështimin e komunës së Gjilanit për fillimin dhe vazhdimin e disa projekteve në Gjilan.

Ai ka thënë se autostrada e Gjilanit ka stagnuar dhe për këtë ka fajësuar komunën që udhëhiqet nga Alban Hyseni i VV-së për mosinteresim total dhe qeverinë e Albin Kurti për mosangazhim konkret.

“Autostrada e Gjilanit ka mbetur në stagnim përshkak të mospërfundimit të angazhimeve konkrete të qeverisë dhe  për shkak të mosinteresimit total të komunës për t’i dhënë shtytje dhe buxhetim përfundimit të fazës së parë të punimeve prej Lipjanit në drejtim të Bresalcit dhe moshpallja dhe mosnjoftimi prej Gllamës në drejtim të Konçulit që është faza e dytë dhe me këtë projekt zhvillimor jo vetëm që lidhet Kosova Lindore dhe Anamorava me qendrën e Kosovës por edhe ndërtohet qarkorja e Gjilanit të cilin projekt ne e kemi zhvillu por që tani nuk ka asnjë lloj tendence që mund të na sigurojë se do të zhvillohet tutje. Këtë vit ka mungu vullneti politik për ta buxhetu këtë projekt madhor dhe kërkesa jonë është që të vazhdojë dhe të shpallet faza e dytë e autostradës. Ajo çka neve na brengos është mosinteresimi total dhe anashkalimi i komunës tonë”, ka thënë Haziri.

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se qeveria Kurti nga fillimi ka tregu mosinteresim për investime në Gjilan dhe Anamoravë.

“Ne e dimë që kjo qeveri, Gjilanin dhe Anamoravën ka tregu prej fillimit mosinteresim për investime, por kjo s’duhet me na leju neve me kalu në defanzivë, duhet me qenë në presion dhe kërkesë të përditshme sepse projektet e mëdha që financohen ose bashkëfinancohet me institucionet ndërkombëtare atëherë duhet një presion aktiv i komunës karshi investitorëve që me i realizu obligimet që i kanë të kontraktuara”, ka thënë tutje ish-kryetari i Gjilanit.

Haziri ka thënë se LDK-ja si partia më e madhe në Asamble komunale do të vazhdojnë të jenë gardianë të çdo lloj tendence për keqqeverisje në komunën e Gjilanit.

“Duke qenë partia më e madhe në Asamble në komunën e Gjilanit ne do të vazhdojmë të jemi aktivë në politikbërjen dhe gardianë të ndalimit të çdo lloj tendence të keqqeveriset në komunën e Gjilanit. Ne jemi në një debat të brendshëm në degën e LDK-së, ne kemi një votë më pak në asamble komunale ndaj koalicionit VV-PDK”, ka thënë Haziri.

Go to TOP