Lukashenka takon Putinin në kohën e stërvitjeve ushtarake

Lideri autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, ka thënë se do të takohet të premten, 18 shkurt, me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar “aktivitetet e mëtejme” sa u përket forcave të përbashkëta, teksa të dyja shtetet zhvillojnë stërvitje ushtarake së bashku.

Duke folur gjatë një vizite në zonën ushtarake, Asipovitski, ndërkohë që zhvilloheshin stërvitjet më 17 shkurt, Lukashenka nuk ka treguar nëse trupat ruse do të nisin të largohen pas këtyre aktiviteteve, mirëpo ka theksuar se “nuk ka nevojë për të krijuar baza ushtarake ruse në Bjellorusi”.

“Për këtë do të vendoset nesër”, ka thënë Lukashenka, duke iu referuar takimit me Putinin.

Në Moskë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë më 17 shkurt se stërvitjet do të përfundojnë sipas planit – më 20 shkurt – mirëpo nuk ka komentuar nëse forcat ruse do të largohen menjëherë.

Pjesëmarrja e mbi 30,000 trupave në këto stërvitje ka shqetësuar Perëndimin rreth qëllimeve të vërteta të Kremlinit për mbledhje të trupave.

Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 130,000 trupa dhe pajisje ushtarake gjenden në zonat në kufi me Ukrainën.

Ministri i Jashtëm bjellorus, Uladzimer Makey, ka thënë më 16 shkurt se trupat ruse do të tërhiqen plotësisht nga Bjellorusia, pas përfundimit të stërvitjeve.

Mirëpo Lukashenka ka thënë se do të zhvillojë bisedime me Putinin për të vendosur “kur, në çfarë kushte dhe në çfarë orari” do të largohen ato.

Rusia ka insistuar se nuk ka plane për pushtim, por në të njëjtën kohë kërkon garanci për çështje të sigurisë në Evropë, përfshirë atë që NATO-ja të mos zgjerohet në shtetet si Ukraina, apo ish-republika tjetër sovjetike, Gjeorgjia.

Në kërkesat e Moskës ndaj Perëndimit përfshihen edhe ato që:

  • NATO-ja t’i japë fund aktivitetit ushtarak në Evropën Lindore dhe të tërheqë trupat nga Polonia dhe republikat baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania
  • Aleanca veriatlantike të mos pozicionojë raketa në shtetet afër apo në kufi me Rusinë

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë përgjigjur duke thënë se Ukraina ka të drejtë të zgjedhë aleatët e vet, mirëpo i kanë ofruar Rusisë mundësinë e negocimit rreth raketave dhe çështjeve tjera.

Nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo nuk do të ishte hera e parë.

Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona.

Go to TOP