Lirohet nga akuza për korrupsion shefi i Urbanizmit në Novobërdë, i pafajshëm shpallet edhe i akuzuari tjetër

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për korrupsion, Selatin Beqiri- shef i Drejtorisë së Urbanizmit në Novobërdë dhe të akuzuarit Osman Ramadani, për heqje apo dëmtim të vulave zyrtare ose shenjave.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të premten nga gjyqtari Agim Ademi.

Gjyqtari Ademi ka njoftuar se kundër këtj aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Ndryshe, Prokuroria  Themelore në Gjilan, më 27 maj 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Selatin Beqirit për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe ndaj Osman Ramadanit për veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.

Sipas aktakuzës, Selatin Beqiri gjatë muajit shtator 2018, në Novobërdë, në cilësinë e shefit të Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Novobërdës, me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, shpërdoron pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar detyrat zyrtare ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij.

Bazuar në aktin akuzues, i akuzuari Beqiri ka shkelur legjislacionin, përkatësisht dispozitat e Ligjit për Ndërtim nr.04L-110, në atë mënyrë që derisa i akuzuari tjetër Osman Ramadani shkon disa herë në zyrën e tij për të pranuar përgjigje për kërkesën e bërë për mbindërtim të objektit, i cili ndodhet në fshatin Pasjak të Novobërdës, disa qytetarë ankohen në këtë komunë për shkak të këtij mbindërtimi dhe pas pranimit të këtyre ankesave, drejtori i Inspekcionit në vend të ngjarjes më 1 nëntor 2018, vendos shirita në objektin e mbindërtimit në fjalë dhe i lëshon aktvendim për ndalimin e punëve.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Osman Ramadani vazhdon punimet për shkak të kohës, e cila ishte me të reshura shiu, ndërsa pas 2 nëntorit 2019, ai merr lejen për mbindërtim me numër të vrojtimit 09-08-2018, pra data e lëshimit të kësaj leje është para se drejtori i Inspekcionit të marrë aktvendim për ndalimin e mbindërtimit dhe shiritimin e tij.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari Osman Ramadani, më 3 nëntor 2018, në kohë të papërcaktuar, në fshatin Pasjak të Novobërdës, pasi ka pranuar aktvendim për ndërprerjen e punimeve me numër të protokollit 11 – 569, për objektin mbindërtim, në mënyrë të paautorizuar ka hequr shenjën zyrtare dhe ka vazhduar me punimet edhe pse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë është i kundërligjshëm.

Go to TOP