Kuvendi i Rusisë do ta diskutojë njohjen e pavarësisë së Donetskut e Luhanskut

Kryetari i Dumës Shtetërore të Rusisë, Vyacheslav Volodin, tha të premten se ky institucion javën e ardhshme do të diskutojë për idenë që t’i kërkohet Presidentit Vladimir Putin që t’i njohë dy rajonet lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, si shtete të pavarura.

Ai e dha këtë deklaratë para bisedimeve në Gjenevë mes kryediplomatëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, Antony Blinken dhe Sergei Lavrov, të cilët pritet të flasin për tensionet rreth Ukrainës, shkruan Reuters.

“Po shohim se Presidenti Zelenskiy (i Ukrainës) po i injoron marrëveshjet e Minskut (për paqe). NATO-ja dëshiron që ta pushtojë Ukrainën. Të dyja gjërat mund të rezultojnë me tragjedi. Nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë”, tha zyrtari i lartë rus.

Volodin shtoi se partia “Rusia e Bashkuar, e cila është në pushtet, është e shqetësuar për sigurinë e rusëve që jetojnë në dy rajonet lindore ukrainase. Moska ka lëshuar mbi 600.000 pasaporta për banorët e atyre rajoneve nga viti 2014.

Kremlini reagoi ftohtë të premten ndaj kësaj nisme parlamentare. Qeveria ruse tha se është e rëndësishme që të shmangen hapat që do të mund t’i rrisnin tensionet dhe paralajmëroi kundër përpjekjeve për të fituar poena politikë në një situatë të brishtë.


Go to TOP