Kuvendi diskuton për rrymën në seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës po mban të mërkurën seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Departamenti për Tarifa në ZRRE ka thënë të martën, 8 shkurt, se rritjen e çmimit në fatura do të vërejnë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se partia e tij ka kërkuar mbajtjen e seancës, duke e konsideruar vendimin e ZRRE-së si diskriminues dhe politik.

Ai ka kritikuar mungesën e deputetëve të Partisë Vetëvendosje në seancë – parti në pushtet – duke thënë se ata janë duke injoruar diskutimin në këtë temë.

“Ky vendim nuk është i pavarur. Ky vendim ka qenë në sinkronizim të plotë mes Qeverisë së Kosovës dhe ZRRE-së”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk janë informuar në mënyrë të qartë lidhur me rritjen e çmimeve të rrymës.

Tahiri ka thënë se do të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat për të ndalur këtë rritje.

Krasniqi: ZRRE ndau qytetarët në subjekte të pabarabarta

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka konsideruar vendimin e ZRRE-së si agjendë të Qeverisë Kurti.

“Kjo Zyrë nuk mori vendim të pavarur, por vetëm e vulosi një vendim politik, të propozuar në kurriz të qytetarëve nga mazhoranca e këtij Kuvendi, që sot ik edhe prej debatit”.

Krasniqi ka thënë se ZRRE – përmes vendimit të saj – ka ndarë qytetarët në subjekte të pabarabarta.

Përveç anulimit të vendimit për tarifat e reja, Krasniqi ka kërkuar edhe shkarkimin e anëtarëve të bordit të ZRRE-së.

Kurti: Çmimet e importit kanë qenë deri në shtatë herë më të shtrenjta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën, 9 shkurt, se gjatë muajve të dimrit, Kosova ka importuar 40 për qind të energjisë elektrike.

Sipas tij, çmimet e importit kanë qenë deri në shtatë herë më të shtrenjta sesa zakonisht dhe se në “kriza energjetike, sikurse në çdo krizë tjetër, nuk ka zgjidhje ideale”.

“Në ballafaqim me kriza nuk mund të kërkohet një situatë si para saj. Duhet të synohet një mënyrë për tejkalimin sa më shpejtë prej krizës për sa më shumë prej jush”.

Kurti ka thënë se çmimet e importit të energjisë nuk pritet të ulen, andaj ka bërë thirrje për përdorim racional.

Kurti ka thënë se Qeveria ka rritur shumën e subvencioneve në 100 milionë euro për të lehtësuar situatën.

Sipas tij, subvencionimi i plotë i importit të energjisë është i papërballueshëm për buxhetin e shtetit.

Subvencionet e Qeverisë do të shfrytëzohen për një periudhë njëvjeçare.

Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë do të jetë 7 cent, ndërsa ajo e ulët, 3 cent.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me 9 shkurt dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00.

Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

Për bizneset nuk do të ketë blloqe tarifore.

Muajve të fundit, Kosova është futur në krizë energjetike, si pasojë e krizës së ngjashme që ka përfshirë Evropën.

Kriza në Evropë është thelluar kah mesi i vitit 2021, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.

Kjo ka bërë që Kosovës t’i rriten çmimet e importit.

Kosova nuk mund t’i përballojë e vetme kërkesat – kryesisht për shkak të vjetërsisë së termocentraleve që ka.

Go to TOP