Kur nisën diskutimet për pendën e Kamenicës?, flet ish-ministri i Mjedisit

Në Kosovë parashihet që të ndërtohen dy penda për akumulim e ujit të cilat do të përdoren gjatë sezoneve të thata.

Projekti i parë është ai Firajë-Shtime, si pjesë e rrjetit të Ibër-Lepencit, kurse tjetra pendë planifikohet të ndërtohet në Kamenicë, për ta siguruar ujin e pijes dhe atë për ujitje.

Nga këto dy projekte pritet të përfitojnë mbi dhjetë komuna.

Lidhur me projektin e njërës prej pendave, asaj të Kamenicës ka dhënë detaje edhe ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Ai tha se në vitin 2018 i kishte drejtuar Bankës Botërore një kërkesë për të vlerësuar mundësitë e investimit në Kosovë.

“Prioriteti im i parë në udhëheqjen e MMPH-së ka qenë ndërmarrja e veprimeve konkrete rreth krijimit të rezervave të reja ujore për Republikën e Kosovës, duke qenë se jemi vendi më i varfër në Evropë për rezerva të ujit. Në pjesën e dytë të gushtit 2018, i kam drejtuar një kërkesë Bankës Botërore për të vlerësuar mundësitë e investimit në Kosovë për sektorin e ujërave. Banka Botërore e ka mirëpritur kërkesën time dhe në tetor ka arritur delegacioni i parë për këtë çështje”.

Matoshi mes tjerash potencon se në kohën sa ishte ministër kanë mbajtur dëgjime publike për ndërtimin e kësaj pende në Kamenicë.

“Projekti i Kremenatës ka ekzistuar që nga vitet e 80-ta dhe ka qenë shumë më i avancuar sesa të tjerët, por gjithashtu me kërkesën e Bankës Botërore ne kemi ndarë edhe buxhet për vitin 2019 për hartimin e Planit të Ndikimit Mjedisor e Social për Kremenatën dhe ridizajnimit të projektit. Gjithashtu kemi mbajtur dëgjimet publike me palët e interesit dhe kemi marrë edhe aprovimet për ndërtime konform të drejtës ndërkombëtare për ujërat edhe nga Serbia dhe Bullgaria ku derdhen këta lumenj”, thotë Matoshi.

Ish-ministri thotë se edhe pse diskutimet nisën në vitin 2018, marrëveshja u arrit më 2020.

“Për mua takimi i fundit në detyrën e Ministrit të Mjedisit ka qenë me Bankën Botërore për çështjen e këtij projekti për shkak të propozimeve të Bankës që fillimisht të investohet në rrjetet lokale të ujësjellësve dhe ngritjen e kapaciteteve në Anamoravë dhe pastaj të fillojnë ndërtimet. Kam kërkuar që në FLOWS1 të parashihen edhe fonde konkrete për fillimin e ndërtimeve të ujëmbledhësve”.

“Pastaj me ardhjen e qeverisë së re, negociatat për financimin i kanë vazhduar dy ministritë e linjës ajo e Mjedisit dhe e Financave dhe kanë arritur marrëveshjen në mesin e vitit 2020, nga ajo kohë marrëveshja pret në Kuvend për ratifikim, ka qenë disa herë dhe nuk ka kaluar në mungesë të 2/3 të deputetëve dhe sërish tani mesa kam informata është në kuvend për ratifikim”.

“Kjo marrëveshjen të cilën e kam lexuar në faqen zyrtare te Kuvendit të Kosovës nuk parasheh në fazën e parë ndërtimin e digave, por e përmend se do të ketë një fazë të dytë për ndërtimin e Hidrosistemit Kikë – Kremenatë, tani se kur do të fillojnë ndërtimet varet nga Qeveria dhe dinamika e punës së saj, janë mbi një vit e gjysmë që nuk ka ratifikim të FLOWS1 dhe kjo është shumë e dëmshme, sepse po të kishte një dinamikë më të madhe ndërtimet do kishin mundur të fillonin në vitin 2022. Qeveria nëse është pajtuar me FLOWS1 duhet t’i kërkojë Kuvendit sa më parë ratifikimin dhe në të njëjtën kohë të nisë negociatat me Bankën Botërore për FLOWS2 sepse vetëm kështu mund të hyjmë në fazën konkrete të ndërtimit”, tha Matoshi.

Matoshi, tregoi edhe sa mund të kushtojë ndërtimi i këtyre dy digave.

“Sipas disa përllogaritjeve të asaj kohe ndërtimi i Hidrosistemit Kikë – Kremenatë duke përfshirë edhe rrjetin kryesor dhe sistemin e ujitjes do të kushtonte rreth 50 milionë euro. Nga këto kishim premtimin se 10 milionë do të ishin grant i BE-së. Ndërsa marrëveshja që tani ndodhet për ratifikim ka vlerën e 25 milionë dollarëve për fazën e parë e cila nuk përfshin ndërtimet, por i parasheh në fazën e dytë”.


Go to TOP