Kuçi për rastin e Amir Hoxhës: Policët duhet të suspendohen kur bëhen vegël e pushtetit

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi ka thënë se zyrtarët policorë duhet që të suspendohen kur përdoren nga pushteti e jo kur kërkojnë kushte të dinjitetshme të punës.

Kjo pasi polici Amir Hoxha u suspendua për tri ditë pasi kritikoi për mospagesën e orëve shtesë dhe shujtave për zyrtarët policorë. Ndërkohë, ai përmes një postimi në “Facebook”, përmendi se deputetëve janë duke ju paguar shpenzimet për karburante.

“Suspendimi nuk guxon me ndodh kur policet kerkojne kushte te dinjitetshme te punes, as kur policet mendojne ndryshe politikisht. Policet duhet te suspendohen kur behen vegel e pushtetit (kur kapin protestues per fyti, kur arrestojne kamerman ne menyre mizore)”, ka shrkuar Kuçi në “Facebook”.

Inspektorati Policor i Kosovës është deklaruar lidhur me suspendimin prej ditësh të zyrtarit policor Amir Hoxha.

Nga IPK-ja kanë thënë se nuk janë duke e trajtuar këtë rast dhe se nuk kanë bërë ndonjë rekomandim  për suspendimin e tij.

Sipas IKP-së, Hoxha është suspenduar nga Policia e Kosovës.

“Duke ju referuar kërkesave të shumta ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës nuk është duke e trajtuar këtë rast dhe nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës. Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së hetuesit e IPK-së hetojnë të gjitha veprat  penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj”, thuhet në njoftim.

Go to TOP