Kryeministri grek kërkon falje pasi nuk ishin të përgatitur për stuhinë e borës

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, kërkoi falje të mërkurën për papërgatitjen e shtetit për t’u marrë me ndikimin e një stuhie të fortë bore, që ndaloi transportin në Athinë dhe la mijëra shoferë të bllokuar në një autostradë kryesore të qytetit këtë javë.

Dëbora e madhe është e rrallë në kryeqytetin grek, por vendi tashmë është goditur nga moti ekstrem për dimrin e dytë radhazi, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Pas stuhisë së dëborës të së hënës, mijëra persona u evakuuan nga autostrada Attiki, unaza kryesore e kryeqytetit, disa duke braktisur makinat e tyre në këmbë, teksa disa u strehuan në aeroportin e qytetit, e shumë të tjerë të bllokuar në temperatura të ulëta për orë të tëra.

Dhjetëra makina të lëna pas nga drejtuesit e tyre dhe të mbuluara me borë mbetën të bllokuara në Attiki Odos, të mërkurën, dhe rreth 3,000 familje mbetën pa energji elektrike në zonën e gjerë të Athinës për të tretën ditë.

“Do të doja të filloja me një falje personale dhe të sinqertë për bashkëqytetarët tanë që vuajtën për shumë orë, të bllokuar në Attiki Odos”, tha Mitsotakis në fillim të një mbledhjeje të kabinetit. “Ka pasur gabime dhe mangësi, të cilat duhet të rregullohen”, shtoi ai.

Autoritetet thanë se shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri të premten, pasi bora ende po e bllokon hyrjen në objekte.

Mitsotakis tha se përgjegjësia qëndronte te operatori i autostradës Attiki, por gjithashtu u zotua të përmirësojë koordinimin midis autoriteteve shtetërore dhe të forcojë mbrojtjen nga krizat klimatike. Zjarret shkatërruese të pyjeve shkatërruan shtëpi dhe bagëti verën e kaluar.

“Është e vërtetë që infrastruktura e një vendi mesdhetar nuk përshtatet gjithmonë me kushtet e reshjeve të mëdha të borës”, tha ai. “Është po aq e vërtetë, megjithatë, se mekanizmi shtetëror nuk është ende në pikën e gatishmërisë që kërkojnë fenomene të një intensiteti kaq të madh.

Go to TOP