Këshilli i Pavarur i kërkon ministrit Sveçla anulimin e konkursit pë drejtor të Agjencisë për Regjistrimin Civil

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil i ka kërkuar ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla që ta anuloj konkursin për drejtor ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC).

Këtë vendim, Këshilli e kishte marrë 5 ditë pasi që Kushtetuesja kishte shfuqizuar vendimin e Kuvendit, vendim i cili kishte shkarkuar pikërisht Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Në vendimin e marrë më 22 dhjetorë 2021, kolegji i këshillit të Pavarur pas ankesës së njërit nga kandidatët ka treguar një sërë arsyesh përse ky proces duhet të anulohet.

“Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave ka shqyrtuar pretendimet ankimore të ankuesit i cili pretendon se procedurat e rekrutimit për pozitën Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit Sivil në Ministrinë e Punëve të Brendshme e shpallur sipas konkursit të datës 11.06.2021 më numër referencë: RN000712 është zhvilluar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik”, thuhet në arsyetim.

Në arsyetim, kolegji poashtu konstaton se konkursi në fjalë është zhvilluar në kundërshtim me rregulloren për Pranimin, Vlerësimin dhe disiplinën e nëpunësve të lartë Drejtues, si dhe në kundërshtim me dispozitat e ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

“I njëjti (ankuesi) vlerëson se është dëmtuar me rastin e vlerësimit të jetëshkrimit të CV-së dhe po ashtu është dëmtuar gjatë ndërhyrjeve (zbritjes së pikëve) në regjistrin e pikëve nga ana e Komisionit Shtetëror Përzgjedhës me ç’rast i është pamundësuar të kaloj pragun minimal prej 70 për qind të totalit të përgjithshëm të pikëve i nevojshëm për të qenë pjesë e listës për emërim”, thuhet tutje në arsyetim.

Në konkursin për të cilin KPMSHC kërkon të anulohet janë listën fituese kanë hyrë dy kandidat. Në njoftimin e publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Artan Dreshaj dhe Sebahate Muharremi-Pllana janë kandidatet më të poentuar në këtë proces.

Mirëpo, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla sipas vendimit të KPMSHC-së duhet ta anuloj konkursin i cili ishte hapur më 11 qershor 2021.

Pak muaj pasi kishte marrë drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sveçla kishte shkarkuar Bekim Hoxhën nga pozita e kryeshefit të Agjencisë së Regjistrimit Civil.

“Agjencia e Regjistrimit Civil ka pas problem të theksuara të njohura për publikun, mendoj që ka pas dështime në këtë agjenci dhe po ashtu kontrata këtij personi i ka skaduar qysh më herët, ka qenë ushtrues detyre dhe unë besoj një qasje më ndryshe, do të sjellë shërbime më të mira për qytetarët”, ka thënë Sveçla në #KALLXOPernime.

Go to TOP