KEK-ut e KOSTT-it nuk u është bërë auditimi qe 10 vjet

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka thënë se sivjet institucioni që ajo udhëheq ka nisur auditimin e disa prej ndërmarrjeve publike, të cilat siç ka thënë, mund të kenë 10 vjet që nuk janë audituar.

Spanca ka përmendur në “60 Minuta” të KTV-së, se këtu përfshihen KEK-u, KOSTT-i, Trepça dhe RTK-ja.

Sipas saj, vetëm KEK-u brenda dy viteve ka lidhur mbi 1,000 kontrata në vlerë prej 180 milionë euro, disa prej të cilave Auditori ka nisur t’i auditojë.

“Te auditimet e përformancës, këtë vit kemi shtrirë auditimet edhe te ndërmarrjet publike, të cilat nuk i kemi audituar për një kohë të gjatë si KEK, KOSTT, Trepca dhe RTK-ja. Tek KEK-u dhe KOSTT-i kemi planifdikuar të kryejmë auditimin e prokurimit. KEK-u merr pjesë me një numër të madh të kontratave publike, diku ka lidhur për vitet 2018-2020, 1,060 kontrata në vlerë prej 180 milionë euro, dhe nga këto ne kemi përzgjedhur 147 kontrata. Mund të ketë 10 vite që nuk e kemi audituar KEK-un, e as KOSTT-in për këto 10 vite nuk më kujtohet që është audituar”, ka thënë Spanca.

Ajo ka sqaruar se nuk e di pse këto organizata të rëndësishme nuk janë audituar më parë, ndonëse ka shtuar se Auditori duhet të fokusohet në fushat që janë me rrezik.

Spanca ka bërë të ditur po ashtu, se Auditori ka nisur edhe auditimin e hidrocentraleve.

“Kemi edhe hidrocentralet që kemi planifikuar t’i auditojmë. Në KEK, KOSTT dhe RTK auditimi i performancës dhe prokurimit veç sa kanë filluar. Tek RTK-ja fokusi do të jetë menaxhimi i fondeve publike, me theks tek burimet njerëzore, pagesat e stafit të rregullt., angazhimi i bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kontraktimi i programeve vendore”, ka thënë ajo.

Go to TOP