Ish-këshilltari i Kurtit: Mos e mbështesni analfabetin Agim Bahtiri, veç pse po e servon Kurti

Analisti politik Shkëlzen Gashi ka bërë thirrje që të mos votohet kandidati i Vetëvendosjes në Mitrovicë Agim Bahtiri, për të cilin tha se është një analfabet.

Por, në të njëjtën kohë ai bëri thirrje që të votohet bashkëpartiaku i Bahtirit në Gjilan, Alban Hyseni, të cilit ia lavdëroi fushatën.

“Mendoj që s’duhet me qenë neutral në këto situata, sepse kur je neutral atëherë e mbështet të keqën. Por, e ke mundësinë me e mbështet më pak të keqen sikurse është Mitrovica dhe mendoj se e kam për obligim si qytetar dhe aktivist i shoqërisë civile me iu bë thirrje publikisht që mos me e mbështet një kandidat analfabet si Agim Bahtiri veç pse po e servon kryeministri Albin Kurti dhe në të njëjtën kohë me iu bëj thirrje qytetarëve të Gjilanit që ta mbështesin një kandidat sikur ai i Vetëvendosjes, Alban Hyseni, i cili e ka bërë një fushatë fantastike dhe për fat të keq nuk e kishte mbështetjen prej qendrës në Prishtinë sikur që e kishte ai i Vetëvendosjes në Mitrovicë”.

Ai e ka cilësuar si të qetë fushatën që zhvilluan partitë politike për zgjedhjet lokale derisa tha se është për të lënë përshtypje që s’pati fushatë negative ndërmjet vete të garuesve.

Ndërkaq, Gashi në Rubikon ka thënë se s’ka profesionistë për të bërë sondazhe, prandaj shteti duhet të ndërhyjë dhe të kontrollojë metodologjinë e tyre meqë mendon se këto sondazhe bëhen për shantazh apo mbështetje të ndonjë kandidati.

Për kryetarin e Vetëvendosjes dhe atë të PDK-së, Gashi tha se nuk u panë shumë duke i mbështetur kandidatët e tyre për kryeqytetin.

“Ndoshta kryeministri ka bërë pak më shumë si kryetar i subjektit më të madh politik në mbështetje të kandidatit të vet, por jo sa e kam pritur unë, sidomos gjatë kësaj jave meqë ai u fut në fushatë me vonesë, por si duket ka sondazhe, informacione që fitoren e ka të sigurt dhe mbështetjen e ka orientuar diku tjetër”.

Go to TOP