Heroi në mural

(Për fotoartistin Hazir Reka)

Shkruan: Faruk TASHOLLI

Artistja e artit pamor, Lebibe Topalli me ekipin e saj, ka bërë që për disa vjet, me festivalin MuralFest, pjesëve më të frekuentuara të qytetit në Ferizaj t’u jep pamje të bukur. Muralet e shumta, kanë bërë që ky qytet të marrë frymë ndryshe, me gjithë vërshimën e egër arkitektonike. Por në qendër të qytetit, aty ku dikur ishte libraria që furnizonte gjysmën e Rrafshit të Kosovës, në një mural është një hero i veçantë, i ideuar nga artisti amerikan Nils Westergard. Poshtë muralit, në rrugë, malësori i zbritur nga Bjeshkët e Jezercit me emrin Hazir Reka, vështron muralin e bërë nga artistët ferizajas me amerikanin Westergaard. Malësori Hazir Reka nga rruga shikon fotoartistin Hazir Reka në mural,si heroin e artistëve pamorë në qytetin që i fali dashuri e nder, derisa ky atij qyteti i fali krenari.

Pak histori:

Ishte viti 1983 kur në një banesë studentësh në Breg të Diellit në Prishtinë, miku im Islam Miftari, aso kohe student i Fakultetit të Mjekësisë dhe solist në ansamblin artistik të Universitetit të Prishtinës, tash mjek në Kanada, më njoftoi me Hazir Rekën dhe me pasionin e tij ndaj fotografisë. Unë aso kohe isha redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën e studentëve „Bota e re“. Nga redaksia jonë për në Redaksinë e Revistave në Rilindje po kalonte fotoreporteri ynë i zellshëm Enver Bylykbashi, për çka edhe kishim shpallur një konkurs për zëvendësim. Kjo ishte edhe „hilja“ e Islamit për takim në Breg të Diellit. Pas shikimit të disa fotografive të Hazirit, të nesërmen iu thashë dy miqve të mi, kryeredaktorit të gazetës Behxhet Halitit dhe Enver Bylykbashit se fotoreporteri i ri u gjet. Pas testimit në një konkurrencë të fortë, megjithatë, Hazir Reka doli më i miri dhe fitoi konkursin.

I zellshëm, i papërtueshëm dhe mbi të gjitha shumë kreativ e miqësor e pasuroi atë frymën më tepër se familjare që kishim në Redaksi. Por, ngjarjet dramatike që e kishin kapluar Kosovën, e sidomos sulmet politike dhe policore nga Serbia, edhe Hazir Rekën e shtynë në një rrjedhë dramatike të punë, duke kaluar pastaj në revistën „Zëri“, ku fotografitë e tij po i shënonin, mes tjerash, edhe ngjarjet më të rënda në Kosovë.

Nën hijen e luftës që po i afrohej Kosovës, dinamika e zellit për ta zënë çdo ngjarje te z. Reka u rrit edhe më shumë. Objektivi i tij zuri demonstrata shqiptarësh, vërsulje të tmerrshme të policisë serbe, pastaj, rrahje publike, vrasje, plagosje të demonstrantëve paqësorë, që nga fëmijët e deri te të vjetrit. Qindra e mijëra personazhe, qindra ngjarje, sa në Prekaz e Likoshan, sa në Reçak, u regjistruan me objektivin e tij, duke e bërë kështu pjesëmarrës në historinë e Kosovës, derisa në këtë mozaik ai mbetet vetë historia.

Duke kaluar mes shkopinjve të gomës, mes mashinkave të mbushura për shqiptarë, mes plumbave të shkrepur dhe mes kufomave të luftës, ku policia serbe masakronte civilët shqiptarë, këmba e tij një ditë shkeli në liri. E vërteta e luftës së Kosovës edhe me fotot e tij mbërriu në kabinetet e qeverive demokratike të botës së qytetëruar, ekspozitat e tij sollën kronika të tmerrshme por edhe krenare nga sakrificat sublime të shqiptarëve për liri. Ardhja e portretit të Hazir Rekës në mural, është ardhja e një heroi të gjallë, që regjistroi historinë heroike të një kombi me gjithë heronjtë dhe dalzotësit e shumtë. Ky është një nder edhe për Ferizajn, edhe për piktorët e këtij qyteti, edhe për piktorin amerikan Nils Westergard , ideja e të cilit nxori heroin tonë në skenën artistike dhe në skenën e kujtesës kombëtare.

Go to TOP