Gjykata refuzon pezullimin e vendimit të ZRrE-së për shkak të pamundësisë së padive kolektive – Shoqata e Prodhuesve paralajmëron padi individuale
Shoqata e Prodhuesve të Kosovës ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative ka refuzuar kërkesën për masë sigurie për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), të parashtruar në formë padie grupore nga Shoqata në emër të prodhuesve vendorë.
Në njoftim thuhet se arsyetimi i Gjykatës lidhet me legjislacionin aktual në Kosovë, i cili nuk e njeh formatin e padive kolektive në çështje administrative duke pamundësuar kështu mbrojtjen ligjore të bizneseve në mënyrë të përbashkët.
Kjo ka qenë padia e parë grupore e ushtruar ndonjëherë nga Shoqata e Prodhuesve, por për shkak të kufizimeve ligjore, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka sqaruar se OEK nuk ka pasur mundësi të paraqesë padi në emër të 1300 bizneseve anëtare. Sidoqoftë, me funksionalizimin e zyrës së re ligjore brenda OEK-ut, u është ofruar ndihmë bizneseve për të hartuar dhe dorëzuar padi individuale.
Ndërkohë, Gjykata Komerciale ka pranuar dhe është duke trajtuar një numër të konsiderueshëm të padive individuale, të paraqitura si nga anëtarët e Shoqatës së Prodhuesve ashtu edhe nga biznese të tjera të prekura nga vendimi i ZRrE-së për liberalizimin e tregut të energjisë.
Shoqata njofton se ky proces ligjor do të vazhdojë me ngritjen e padive individuale dhe paralajmëron se vendimi i ZRrE-së po dëmton rëndë konkurrencën dhe stabilitetin e tregut.
“U bëjmë thirrje autoriteteve të ZRrE-së që të anulojnë vendimin për daljen e detyrueshme në tregun e lirë të energjisë, në mënyrë që të shmanget goditja e mëtejme ndaj sektorit prodhues dhe ekonomisë në përgjithësi,” përfundon reagimi i Shoqatës.
Kjo çështje pritet të ndikojë në debatin më të gjerë për nevojën e reformës ligjore që do të mundësonte edhe paditë kolektive, si formë e avancuar e mbrojtjes së interesit të përbashkët të bizneseve. /Kosova.info/
