Gjermania: Energjia bërthamore e rrezikshme, ne refuzojmë planet e BE-së

Qeveria gjermane ka thënë se e konsideron energjinë bërthamore të rrezikshme dhe kundërshton propozimet e Bashkimit Evropian (BE) për ta mbajtur këtë teknologji pjesë të planeve për të luftuar ndryshimet klimatike.

Gjermania do të mbyllë tri termocentralet e mbetura bërthamore deri në fund të këtij viti dhe do të heqë gradualisht qymyrin deri në vitin 2030, ndërsa Franca fqinje synon të modernizojë reaktorët ekzistues dhe të ndërtojë të rinj për të përmbushur nevojat e saj të ardhshme për energji.

Berlini zyrtar planifikon të mbështetet shumë në gazin natyror derisa ai të zëvendësohet nga burime energjie që nuk ndotin mjedisin.

Drafti i planit të BE-së, për të cilin Associated Press kishte një pasqyrë, arrin në përfundimin se energjia bërthamore dhe gazi natyror mund të konsiderohen të sigurta për investim në kushte të caktuara.

“Ne besojmë se teknologjia bërthamore është e rrezikshme,” ka thënë zëdhënësi i qeverisë gjermane Stephen Hebestreit, duke vënë në dukje se çështja se çfarë të bëhet me mbetjet radioaktive që mund të zgjasin për mijëra vjet mbetet e pazgjidhur.

Ai shtoi se Gjermania “refuzon në mënyrë eksplicite” planet e BE-së në lidhje me energjinë bërthamore.

Aktivistët kanë kritikuar planin e Gjermanisë për të përdorur gazin natyror, i cili është më i mirë se qymyri, por kur digjet, lëshon gjithashtu dyoksid karboni, gazin kryesor në serë.

Megjithatë, Gjermania pretendon se gazi natyror është vetëm një “urë” drejt zgjidhjeve alternative jo ndotëse, afati për të cilat është viti 2045.

Go to TOP