Gjendja e sigurisë në vend është stabile, Musliu: Te qytetarët po vërehet panik, presidentja dhe kryeministri të dalin dhe të deklarohen

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu pas takimit të Komisionit me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti tha se gjendja e sigurisë në vend është stabile dhe institucionet e sigurisë janë në krye të detyrës.

Musliu pas mbledhjes së Komisionit me drejtorin e AKI-së në një konferencë për media kërkoi që të mos krijohet panik pasi vendi nuk kërcënohet drejtpërsëdrejti nga ndonjë pasiguri.

“U informuam në detaje për gjendjen e sigurisë në vend. Dua t’i sigurojë qytetarët e Kosovës se nuk ka vend për panik. Gjendja e sigurisë në vend është stabile, kujdesi i institucioneve të sigurisë, përfshirë AKI-n që është në krye të detyrës, prandaj nuk ka vend për panik”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së kërkoi se presidentja edhe kryeministri që të dalin dhe të deklarohen për gjendjen e sigurisë në vend pasi te qytetarët është vërejtur panik e shtuar dhe kanë filluar të furnizohen me rezerva.

“Çka është shqetësues dhe alarmante kur i shohim pompat e derivateve me reshta të plotë e mos të flasim për furnizim me miell e artikuj tjerë esencial”, tha ajo.

“Mos të mbjellim panik se nuk ka vend për panik dhe nuk kërcënohemi drejtpërdrejtë nga ndonjë pasiguri”, u shpreh Musliu. 

Go to TOP