Gjendet fëmija që humbi orientimin në malet e Novobërdës
Është gjendur shëndoshë e mirë fëmija 7-vjeçar i cili humbi orientimin në malet e Novobërdës, ka njoftuar Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit të Kosovës.
Ngjarja ndodhi sot pasdite, kur familjarët dhe policia nisën kërkimet për vogëlushin që kishte dalë për të luajtur në malin afër shtëpisë së tij dhe kishte humbur orientimin.
“Më datë 10 nëntor 2024, në orën 12:20, kemi pranuar një telefonatë nga familjarë të shqetësuar për humbjen e një fëmije rreth 7 vjeç në rajonin e Artanës (Novobërdës). Fëmija kishte dalë për të luajtur në malin pranë shtëpisë dhe, sipas të gjitha gjasave, kishte humbur orientimin. Familjarët, së bashku me Policinë e Kosovës, kishin kërkuar për rreth 3 orë pa sukses, duke i bërë më pas kërkesë Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit të Kosovës për ndihmë shtesë. Ekipi kujdestar i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit të Kosovës u nis me shpejtësi dhe arriti në vendngjarje në orën 13:30. Me të mbërritur, ekipi u njoftua se fëmija tashmë ishte gjetur nga familjarët dhe Policia e Kosovës, dhe po kthehej i sigurt në shtëpi. Fëmija ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa lëndime”, thuhet në njoftimin e këtij shërbimi.