Fjalët therëse të Kadri Veselit në “gjykatën e nderuar” në Hagë

Një aktakuzë e re, me ndryshime dhe disa akuza të reja për ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i solli ata sërish para një seance tjetër dëgjimore.

Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli ishin dy të parët që u paraqitën para gjykatësit Nicolas Guillou. Ndërsa Thaçi u deklarua i pafajshëm sa herë iu dha fjala, Veseli zgjodhi disa fjalë therëse për gjykatën, e cila akuzohet se po ua shkelë të drejtat atyre në paraburgim.

Veseli e quajti “të nderuar” Gjykatën Speciale, ku tha se mezi po pret të nisë gjyqi në mënyrë që ta dëshmojë pafajësinë para qytetarëve.

“Vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt dhe ta kem të drejtën time ta shpreh pozitën time dhe pafajësinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe para këtij gjyqi të nderuar. Faleminderit shumë”, tha ish-kryeparlamentari.

Pasi gjykatësi lexoi të drejtat që i ofrohen, Veseli tha se do të kishte dashur që ato të mund t’i aplikonte.

“I nderuar Z. gjyqtar, ju falënderoj për të gjitha këto të drejta dhe kisha pasë dëshirë që këto të drejta të cilat i përmendët të kem të drejtë në këtë gjykatë edhe t’i aplikoj”, tha ai.

Paraprakisht, në Speciale u paraqit ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili u deklarua i pafajshëm tri herë gjatë seancës dëgjimore.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 29 prill e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e re, prokurori Jack Smith ka përfshirë disa krime të prentenduara në Suharekë dhe Gjilan, për të cilat akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sikurse në aktakuzën e dorëzuar më parë, edhe në aktakuzën e re, të ndryshuar, Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme.

Go to TOP