“FH”: Presione serioze mbi gazetarët, Qeveria dhe biznesi me ndikim të tepruar në media përfshirë RTK’në

Përveç raportit të Departamentit të Shtetit Amerikan, situatën e rënduar sa i përket lirisë së medias dhe të shtypit në Kosovë e paraqet edhe Raporti i “Freedom House” për vitin 2021 e i cili është publikuar sot.

Në këtë raport të FH thuhet se gazetarët përballen me presione serioze dhe se rrezikojnë të sulmohen si rezultat i raportimeve që bëjnë.

“Gazetarët përballen me presione serioze dhe rrezikojnë të sulmohen në lidhje me raportimin e tyre”, thuhet në raportin e “Freedom House”.

Përveç kësaj, në këtë raport të FH thuhet se pavarësisht se Kushtetuta e Kosovës garanton lirinë dhe llojllojshmërinë e mediave që operojnë në Kosovë, përfshirë edhe Televizionin Publik (RTK)-në, nga Qeveria dhe bizneset ushtrojnë ndikim në linjat editoriale, përfshirë edhe RTK-në.

“Kushtetuta e garanton lirinë e mediave dhe një sërë mediash funksionojnë në Kosovë, përfshirë edhe Radio Televizionin e Kosovës si operator publik. Megjithatë, Qeveria dhe interesat e bizneseve ushtrojnë ndikim të tepruar në linjat editoriale, përfshirë edhe në RTK”, thuhet në raportin e Freedom House.

Gjithashtu tutje tek seksioni për lirinë e mediave, thuhet se gazetarët kanë raportuar kërcënime dhe ngacmime të shpeshta.

“Disa gazetarë ishin sulmuar gjatë vitit 2021 derisa po raportonin nga veriu i Kosovës”, thuhet në raport.

Raporti i Departamentit të Shtetit që u publikuar ditë më parë, konstatonte se përgjatë vitit 2021 në Kosovë kanë ndodhur kufizime serioze të lirisë së shprehje dhe medias, përfshirë edhe dhunën apo kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve.

“Çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme për: kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në raportin e DASH gjithashtu theksohej fakti se gazetarët kanë hasur në vështirësi për marrjen e informacioneve nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht se me ligje garantohet qasja në dokumente publike.

“Kushtetuta dhe ligji parashikojnë lirinë e shprehjes, duke përfshirë shtypin dhe mediat e tjera. Ndërsa qeveria në përgjithësi e respektoi këtë të drejtë, raporte të  besueshme tregojnë se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias. Problemet e financimit gjithashtu minuan pavarësinë e medias. Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë akses në dokumente publike. Komisioni i Pavarur për Media rregullon frekuencat e transmetimit, lëshon licenca për transmetuesit publikë dhe privatë dhe përcakton politikat e transmetimit”, thuhet në raport.

Gjithashtu në raportin e amerikanëve thuhet se mediat e pavarura kanë qenë aktive dhe kanë shprehur shumëllojshmëri pikëpamjesh në përgjithësi pa kufizime, megjithatë theksohet se raportet gjejnë se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë dhe grupe fetare e individë të pakënaqur kanë bërë presion ndaj pronarëve të mediave, redaktorëve apo reporterëve që të mos publikojnë histori apo materiale të caktuara.

“Liria e shprehjes për anëtarët e shtypit dhe mediave të tjera, përfshirë mediat online: Mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehnin një shumëllojshmëri të gjerë pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, vazhduan raportet se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin presion pronarëve të mediave, redaktorëve individualë dhe reporterëve që të mos publikonin histori ose materiale të caktuara. Disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik investigativ për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose sigurinë e punës”, thuhet në këtë pjesë.

Për gjendjen e rënduar të lirisë së medias të raportuar nga DASH, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke shprehur shqetësim për të gjeturat e amerikanëve.


Go to TOP