Është në listën e 10 deputetëve që shpenzuan më së shumti para për karburane, reagon deputeti i VV-së

Në media janë publikuar emrat e dhjetë deputetëve që kanë shpenzuar më së shumti para nga buxheti i shtetit për mbulimin e shpenzimeve të karburantit gjatë periudhës nëntor-dhjetor

Në këtë listë është edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i cili ka dalë me një sqarim publik për këtë çështje.

Sipas tij, kjo punë rregullohet me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës dhe meqë ai jeton në Prizren, thotë se gjatë muajve nëntor – dhjetor 2021 ka udhëtuar mbi 35 herë nga vendbanimi i tij për të marrë pjesë në seanca të Kuvendit e në mbledhje të komisioneve parlamentare.

“Shumë deputetë nuk jetojnë në kryeqytet, përfshirë edhe mua. Meqë jetoj në Prizren dhe në muajt nëntor-dhjetor kam udhëtuar mbi 35 herë Prizren-Prishtinë, me distancë prej 84 kilometra, kam kaluar përafërsisht mbi 2940 km vajtje, 2940 km ardhje. Sipas kësaj logjike të gjithë deputetët duhet të zhvendosen në Prishtinë për ekonomizim të shpenzimeve. Unë këtë gjë nuk mund ta bëjë. Do të jetoj në Prizren. Faleminderit”, ka shkruar ai në Facebook.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë kompensuar për të shkuar në seanca e komisione parlamentare.

Për periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021, një deputet ka shpenzuar deri në 870 euro për karburante.

Për udhëtimet e deklaruara nga Podujeva, Agim Veliu i LDK-së për dy muaj ka marrë 340 Euro, e Valon Ramadani i Vetëvendosjes nga Ferizaj 320 Euro.

Edhe për të tjera distanca relativisht të shkurtëra si Vushtrria e Lipjani, deputetët janë kompensuar për të ardhur në seanca e komisione.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi ka marrë 290 euro kompensim për dy mauj, ndërsa Besim Muzaqi nga Vushtrria ka marrë 170 euro.

Nga i njëjti vend, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi për periudhën kohore nëntor-dhjetor ka marrë 150 euro, ndërsa bashkëvendasja e saj, deputetja  Fjolla Ujkani ka marrë 170 euro, e Gazmend Gjyshinca ka marrë 140 euro.

Ish-drejtori i Policisë, tani deputet nga radhët e PDK-së ka marrë 90 euro për udhëtimin e tij nga Lipjani.

Nga shpenzimet e publikuara nga Kanal 10 shihet se më së shumti kanë marrë deputetët që vijnë nga Gjakova e Prizreni, deri në 870 euro për dy muaj.

Më poshtë gjeni shpenzimet e secilit deputet për karburante gjatë kësaj periudhe.

Go to TOP