Dorëzohen 80 kallëzime penale për krime lufte në Gjakovë

Shoqata për Krimet e Luftës, “Gjakova 98-99”, ka dorëzuar në Departamentin për Krime Lufte në Policinë e Kosovës, 80 kallëzime penale që, sipas saj, lidhen me krimet e luftës të kryera nga forcat policore e ushtarake serbe në periudhën e luftës së fundit.

Drejtuesja e kësaj shoqate, Shkëndije Hoda, ka thënë të premten, më 11 shkurt, 2022, se janë dorëzuar 80 kallëzime penale, në mesin e tyre edhe një kallëzim penal nga një viktimë e dhunës seksuale.

“Kësaj here i kemi sjellë 80 lëndë, do të thotë 80 kallëzime penale që kanë të bëjnë zakonisht me vrasje, tortura dhe dëme materiale të shkaktuara gjatë kohës së luftës, ka theksuar Hoda.

“Sot, nëpërmes shoqatës sonë, kemi edhe një padi për një viktimë të dhunës seksuale, e cila ka ngritur kallëzim penal ndaj tre kriminelëve, të cilët i ka njohur dhe i ka identifikuar në zyrën tonë”, ka thënë ajo.

Hoda ka shtuar se deri më tani, shoqata që ajo drejton ka dorëzuar në hetuesi 15 kontingjente me dokumentacione që lidhen me krimet e luftës.

E njëjta shoqatë ka dorëzuar edhe në të kaluarën dokumentacione që, sipas saj, dëshmon krimet e kryera nga forcat policore dhe ushtarake serbe gjatë kohës së luftës.

Drejtuesit e kësaj shoqate kanë thënë se dosjet që dorëzuara përmbajnë materiale me dëshmi dhe dokumentacione të rëndësishme që do t’iu ndihmojnë hetuesve në zbardhjen e vrasjeve dhe të dhunës së ushtruar ndaj popullatës civile.

Ata kanë sqaruar se në këto dokumentacione ka dëshmi që shërbejnë për të dëshmuar raste të dhunës, maltretimeve fizike, vrasjeve dhe shkatërrimit të pasurisë.

Gjakova konsiderohet ndër komunat që ka pësuar më së shumti në luftën e viteve 1998-‘99.

Në këtë qytet janë vrarë rreth 1,200 persona.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare – Kosovë, komuna e Gjakovës ka numrin më të madh të personave të pagjetur.

Në të gjithë territorin e Kosovës, gjatë periudhës së luftës u vranë rreth rreth 14 mijë persona.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK). Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore.

Sipas EULEX-it, ky mision kishte dorëzuar 495 dosje policore të krimeve të organizuara, 434 dosje policore të krimeve të luftës, dosje policore për persona të pagjetur, dosje gjyqësore që janë shqyrtuar vetëm nga EULEX-i, dhe më shumë se 1400 dosje prokuroriale.

Organizatat vendore që monitorojnë sistemin e drejtësisë, kanë thënë se hetimi i krimeve të luftës nuk ka qenë efikas.

Një hulumtim mbi gjykimin e krimeve të luftës i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në vitin 2021, ka vënë në pah se nga muaji tetor i vitit 1999 deri në qershor 2020, nga gjyqtarët e UNMIK-ut, EULEX-it dhe ata vendorë, me aktgjykime të formës së prerë janë dënuar gjithsej 40 persona. Prej tyre sipas IKD-së, 35 janë shqiptarë dhe katër serbë.

Go to TOP