Detaje të reja për vrasjen në Llaushë, vëllai i të dyshuarit: S’e kemi ditë as që ka armë, kur erdha në shtëpi kunatën e gjeta të gjallë

Vëllai i burrit që dyshohet se vrau gruan e tij 48-vjeçare të mërkurën në Llaushë të Skenderajt, tha se vëllai i tij nuk ka pasur armë zjarri një kohë të gjatë dhe nuk e di sesi i ka rënë në duar arma që ia mori jetën kunatës së tij.

Ai tha se S.Q., 51-vjeçar, ka pasur kriza nervore por ka refuzuar të trajtohej te mjekët. Ndërsa për kunatën e tij tha se do të hap të pame dhe se e njëjta ishte shumë grua e ndershme.

“Edhe familja e kunatës u kanë e bekume, familje më të mirë s’ka kerkund, e kanë ditë që ajo është duke vuajtur nga vëllai im që ka qenë i sëmurë, u kanë vëllai i saj, janë ardhë miqtë, i kam thënë hajdeni te unë se ai është njeri i sëmurë. Vëllai im asnjë fjalë se ka folë. Vëllai së fundmi ka qenë me kriza nervore, s’është trajtu te mjeku se s’kemi mujt me zor me çu. Jam mundu me çu mi dalë në ndihmë, por ka pas trauma shumë, s’e kemi ditë as që ka armë, ku e ka ble e qysh e ka ble se di. Jam befasu, se kam pritë që e vret”, u shpreh ai .

Ai tha se në momentet kritike ka qenë në Skenderaj ndërsa kur ka marrë informacion për ngjarjen ishte kthyer në shtëpi dhe aty e kishte takuar të gjallë kunatën.

“Po tash prej njerit të sëmurë pritet gjithçka. Një kohë s’ka pas armë, ku e gjeti nuk e di. Kam qenë në Skenderaj kur më kanë thirrë, hajde se ka bë diçka, kur kam ardhë këtu hala gjallë e kam gjetë, jam mundu me i dhanë ndihmë por ish kry gjithçka”, shtoi ai.

Vëllai i të dyshuarit pohon se shteti ka mundur ta parandalojë vrasjen e kunatës së tij, pasi thotë se nëse vëllain do ta kishin futur në burg nuk do të ndodhte tragjedia.

“Ju kisha lutë me u marrë me gjyqësorin e prokurorinë që nuk i parandalojnë rastet po i lënë kur te bëhen, e pastaj thonë çka u bë, ata kanë mujt me parandalu. Nëse e kishin marrë vëllain tim ta kishin fut në burg 2-3 muaj, ai s’kishte pas shansë me i bë këto”, tha ai .

“E kanë mbajt 5 orë në stacion dhe e kanë lëshu”, tha ai.

Ndërsa për kunatën e tij tha se nuk i ka nxjerrë probleme kurrë bashkëshortit të saj, por ky i fundit ka pasur kriza nervore.

“Gruaja s’u kap kurrë me të, por vëllai i ka nxjerrë telashe. Gruaja ka qenë e bekuar, vëllai im ka qenë me kriza dhe ka ndodh ajo çka ka ndodh. Ka qenë grua e ndershme”, u shpreh ai.

I njëjti shtoi se tre fëmijët e çiftit po qëndrojnë në shtëpinë e tij dhe për ta tha se janë nxënësa të shkëlqyer.

Policia Rajonale e Mitrovicës ka konfirmuar se gruaja që u vra dje në Llaushë të Skenderajt së fundmi e kishte lajmëruar dhunën në polici. Sipas tyre rasti ishte iniciuar si “dhunë në familje”, ndërsa ndaj të dyshuarit ishte proceduar kallëzim penal.

“Referuar pyetjes së juaj lidhur me rastin veprës penale ‘vrasje e rëndë” e ndodhur me datën 5 janar 2022 në fshatin Llaushë të Skenderajt, nga ana e viktimës L.Q., në cilësi të ankueses është raportuar një rast në Stacionin Policor Skenderaj i iniciuar ‘Dhunë Familje” rasti me kallëzim penal ndaj të dyshuarit S,Q., është proceduar në Prokurori”, thuhet në përgjigjen e policisë rajonale të Mitrovicës .

Për të dyshuarin, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka kërkuar nga gjykata kompetente caktimin e masës së paraburgimit.

Ai dyshohet për veprat penale “Vrasja e rëndë“ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, “ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari S.Q., me datë 05 janar 2022 në fshatin Llaushë të Skenderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij me iniciale L.Q., ashtu që pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me viktimën, ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës”, njofton prokuroria.

Kujtojmë se krimi kishte ndodhur në sallonin e shtëpisë së çiftit dhe në vendin e ngjarjes ishin gjetur 6 gëzhoja plumbash. Nga i dyshuari policia kishte sekuestruar një armë e llojit pistoletë me tre fishekë.

I dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit ditën e djeshme me datë 05 janar dhe gjendet në ndalim 48 orësh.

Go to TOP