Çeku për skandalin e përgjimit: Si BIA dekonspiroi hetimet e gazetarit kosovar për krimin në veri

Gazetari hulumtues, Fitim Çeku, ka paralajmëruar për një nga skandalet më të mëdha të sigurisë që nga paslufta pritet të dalë në publik, duke tronditur institucionet e Kosovës. Sipas burimeve ndërkombëtare të konfirmuara, gjatë periudhës 2021-2023, telefoni i një gazetari hulumtues kosovar, i angazhuar në hetimin e grupeve kriminale të Milan Radojicicit në veri të vendit, është përgjuar në mënyrë të paligjshme.

“Burimet raportojnë se të gjitha të dhënat e siguruara nga telefoni i gazetarit janë transferuar te shërbimi sekret serb, BIA, dhe vetë Radojicicit. Kjo ka lejuar BIA-n të dekonspirojë planet e hetimit, duke i siguruar grupeve kriminale një avantazh strategjik për të shmangur drejtësinë.

Në një zhvillim tjetër tronditës, burime ndërkombëtare thonë se dy agjentë të BIA-s janë kapur në përgjime ndërkombëtare, duke nxitur mediat serbe që të publikojnë informacionet e përgjuara. Këto të dhëna, sipas burimeve, përfshijnë një përgjim ku gazetari kosovar flet me një informator serb në veri të Kosovës. Përgjimi dyshohet se është kryer brenda territorit të Kosovës dhe më pas i është dorëzuar BIA-s”, ka shkruar Çeku.

Sipas tij, nëse këto pretendime vërtetohen, ky skandal do të nxjerrë në dritë një bashkëpunim të mundshëm mes zyrtarëve kosovarë dhe agjentëve të BIA-s, që ka rezultuar në cenimin e sigurisë kombëtare dhe lirisë së medias. Personat përgjegjës qofshin zyrtarë shtetërorë apo figura të tjera me ndikim, përballen me dënime deri në burgim të përjetshëm.

Ky skandal ngre pikëpyetje serioze mbi integritetin e institucioneve të sigurisë në Kosovë dhe ekspozon rrezikun e ndikimeve të huaja në vend. /Kosova.info/


Go to TOP