Britania e Madhe dërgon më shumë avionë luftarakë në Lindjen e Mesme
Britania e Madhe po dërgon më shumë avionë luftarakë në Lindjen e Mesme mes përplasjeve intensive midis Izraelit dhe Iranit.
Lajmi është konfirmuat sot nga kryeministri britanik Keir Starmer para nisjes për në samitin e G7, i cili fillon nesër në Kanada.
Starmer tha se aeroplanët po dërgoheshin “si pjesë e një përgjigjeje rajonale të gatishmërisë për mbështetje”, por nuk specifikoi nëse forcat britanike do të merrnin pjesë në mbrojtjen e Izraelit.
Ai tha se situata po “ndryshonte me shpejtësi” dhe se po zhvilloheshin “diskutime intensive me aleatët në të gjitha nivelet”.
“Mesazhi i vazhdueshëm është de-eskalim”, tha kryeministri britanik.
I pyetur mbi përfshirjen e mundshme në mbrojtjen e Izraelit, Starmer u përgjigj se dje pati një “bisedë të mirë dhe konstruktive me kryeministrin Benjamin Netanyahu”, ku u diskutua gjithashtu “siguria dhe mbrojtja e Izraelit, siç pritet midis dy aleatëve”.
Ai përsëriti se Londra zyrtare ka “shqetësime të hershme” në lidhje me programin bërthamor të Iranit dhe se njeh të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
“Është absolutisht e qartë se situata duhet të shtensionohet urgjentisht”, përfundoi Starmer.
Kujtojmë, avionët e RAF janë vendosur tashmë në rajon si pjesë e Operacionit Shader.
