Borrell kërkon veprime konkrete për situatën në Ukrainë

Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa konkretë në përgjigje ndaj grumbullimit të trupave nga Rusia në kufi me Ukrainën, tha të mërkurën shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Propozimet ruse sesi të zgjidhet tensionimi i situatës “bie ndesh me parimet e arkitekturës së sigurisë evropiane”, tha Borrell, teksa foli para takimit në Francë të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes së BE-së.

Ai e akuzoi Moskën për “kërcënim të hapur” për veprime ushtarake, nëse këto kërkesa nuk plotësohen.

Uashingtoni dhe aleatët e tij e kanë akuzuar Rusinë se po planifikon që ta pushtojë Ukrainën teksa ka mbledhur rreth 100,000 trupa pranë kufirit të Ukrainës.

“Duke punuar me SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja tani duhet të përcaktojë se çfarë ne mund të bëjmë për të mbajtur rendin dhe sigurinë e Evropës dhe parimet që e mbështesin atë – që qartësisht sot janë të kërcënuara”, tha Borrell në një postim të publikuar në ueb-faqen e shërbimit diplomatik të BE-së.

Borrell tha se kjo çështje do të jetë “në krye të agjendës” gjatë takimit të ministrave që do të zgjasë deri të premten në Brest të Francës.

“Në këtë takim, dy gjëra duhet të jenë të qarta: BE-ja duhet të dalë me një qëndrim të bashkuar dhe ne duhet të vërtetojmë rolin tonë, duke mbështetur veprimet konkrete, jo vetëm lidhur me atë se çfarë ne duam, por edhe çfarë ne duhet të bëjmë”, tha Borrell.

Këto komente të Borrellit vijnë në kohën kur shtetet anëtare të NATO-s po takohen me zyrtarët rusë për të diskutuar për situatën në Ukrainë dhe kërkesat e Rusisë. Një ndër kërkesat kryesore të Moskës është që NATO të ndalojë zgjerimin nga lindja.

Go to TOP