Biden do të dërgojë trupa ushtarake në Evropë, por jo në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka thënë se do të zhvendosë trupat amerikane në vendet e Evropës Lindore dhe të NATO-s “në të ardhmen e afërt”.

Rusia ka dërguar mbi 100 mijë trupa ushtarake në kufi me Ukrainën, e cila ka bërë që të shqetësohen aleatët perëndimor të Shteteve të Bashkuara.

“Unë do të dërgoj ushtrinë amerikane në Evropën Lindore në vendet e NATO-s në një të ardhme të afërt. Nuk do të jetë një sasi shumë e madhe trupash”, pohoi shkurt presidenti me të arritur në shtetin e Pensilvanisë.

Theksojmë se Pentagoni vendosi rreth 8500 ushtarë në gatishmëri për një dislokim të mundshëm në Evropë për shkak të akumulimit të ushtrisë ruse në kufirin me Ukrainën, raporton bloomberg.

Sa i përket sanksioneve që Amerika po përgatit në rast të një sulmi ndaj Ukrainës, sipas zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë, Peter Herel, ato do të fokusohen në disa sektorë industrialë dhe teknologjikë rusë për të dobësuar potencialin industrial të Rusisë.

“Qëllimi është dobësimi i potencialit industrial të Rusisë dhe ato nuk do të drejtohen kundër qytetarëve të zakonshëm rusë”, vuri në dukje ai.

Reuters, duke cituar burime të tjera zyrtare nga Shtëpia e Bardhë, thekson se këto masa kufizuese mund të mbulojnë fusha të tilla si aviacioni, çështjet detare, zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe robotikës, mekanika kuantike dhe industria e mbrojtjes.

Një seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS) mbi situatën rreth Ukrainës do të jetë një mundësi për Rusinë që të shpjegojë se çfarë dëshiron, tha një zyrtar i paidentifikuar i administratës amerikane.

Seanca është caktuar për të hënën me iniciativën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila paraprakisht ishte vlerësuar nga përfaqësuesi i misionit rus në OKB, Dmitri Poljanski, si një veprim marketingu i turpshëm për reputacionin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. 

Go to TOP