Beckham prezanton punën e mjekëve në Ukrainë

Ish-kapiteni i futbollit në Britani të Madhe, David Beckham i ka dhënë qasje një mjekeje në llogarinë e tij në Instagram, e cila ka treguar punën që po bëhet në një spital në Harkiv.

Mjekja Iryna, udhëheqëse e një qendre rajonale, ka publikuar një video të profesionistëve shëndetësorë në qytetin e shënjestruar nga bombat ruse për më shumë se tri javë.

Në video janë parë foshnje të sapolindura duke u trajtuar në një bodrum të spitalit, ku pacientët është dashur të zhvendosen për t’iu ikur bombardimeve.

Beckham, 46-vjeçar, ka më shumë se 71 milionë ndjekës në Instagram.

“Ditët e para kanë qenë më të vështirat. Na është dashur të mësohemi të punojmë nën bombardime dhe sulme”, ka thënë mjekja Iryna.

“Ne ndoshta po rrezikojmë jetët tona, por nuk jemi duke menduar për atë gjë. Ne e duam punën tonë. Mjekët dhe infermieret, ne shqetësohemi, qajmë, por asnjëri nuk dorëzohet”.


Go to TOP