Baerbock: Kosova ka përfunduar punën e liberalizimit të vizave 

“Kosova e ka kryer punën e saj sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe tani i mbetet Bashkimit Evropian, ta bëjë të njëjtën gjë”, ka deklaruar ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë një konferencë të përbashkët më kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të enjten mbrëma.

“Për ne nuk është më në pikëpyetje dhe na duhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Për këtë jemi duke punuar më tërë forcën tonë”, tha ajo.

Baerbock, më tutje ka thënë se BE-ja është duke i zgjatur dorën shteteve të rajonit në rrugën drejtë Bashkimit Evropian.

“Një ndër çështjet më të rëndësishme për këtë është forcimi i besimit në rajon. Para se gjithash nevojiten përparime në procesin e dialogut për normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete duhet të gjejnë një zgjidhje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale të Serbisë, me 3 prill”, shoti ajo.

Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin e tyre në Kosovë.

Baerbock ka siguruar kryeministrin Kurti se Gjermania do vazhdojë të mbështesë në projekte zhvillimore edhe në të ardhmen.

Kosova është partnere e qëndrueshme e Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian dhe këtë e ka dëshmuar më pritjen e refugjatëve nga Afganistani, me krizën në Ukrainë dhe më sanksionet që ka vendosur ndaj Rusisë, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ai ka kërkuar ka kërkuar përkrahjen e Gjermanisë dhe të BE-së.

“Kam kërkuar mbështetje për reformat , në punësim dhe drejtësi. Kosova duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së, në infrastrukturë, energji e të tjera. Gjermania mund të ndihmojë më shumë në këtë drejtim”, ka thënë Kurti.

“Lufta në Ukrainë duhet të ndalet”

Ministrja gjermane foli edhe për pushtimin rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt. Ajo tha se ky sulm “ishte censurë apo një thirrje zgjimi referuar rëndësisë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Ajo tha se kjo luftë të ndalet, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, është duke sulmuar ukrainasit me bomba dhe raketa.

“Kjo luftë po bëhet me bomba dhe raketa kundër njerëzve në Ukrainë dhe për këtë arsye duhet të bëjmë çdo gjë që ta ndalojmë këtë luftë dhe të krijojmë korridore humanitare”, tha ajo.

Baerbock foli edhe për sanksionet që Perëndimi i ka vendosur ndaj Rusisë, pas fillimit të sulmeve në Ukrainë.

Ajo falënderoi Qeverinë e Kosovës që i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe tha se ky qëndrim i qartë ka treguar edhe njëherë se Kosova si i gjithë rajonit i Ballkanit Perëndimor i përket Evropës.

“I vendosim sanksione që ne mendojmë që janë të nevojshme. Kur i vendosim ato, e dimë që i vendosim për një kohë të gjatë, prandaj i shqyrtojmë me saktësi para se t’i vendosim sepse nuk duam t’i tërheqim menjëherë. Nëse do të mund ta ndalnim luftën, do ta bënim. E dimë që Putin ka rezerva dhe nuk do ta ndalojë luftën menjëherë”, tha ajo.

Gjatë ditës, Baerbock është takuar edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Osmani ka theksuar se për Kosovën dhe paqen e sigurinë në rajon, është ekzistenciale fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO.

“Agresioni rus në Ukrainë, sipas Presidentes Osmani ka nxitur domosdoshmërinë e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor” thuhet në një njoftim të zyrës se presidencës.

Baerbock është duke i vizituar vendet e Ballkanit Perëndimor. Të enjten paradite, ajo ka qëndruar në Bosnjë Hercegovinë, ku tha se “Gjermania në të ardhmen do të jetë më e pranishme në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye për herë të parë kemi një të dërguar special për këtë rajon”.

Pas vizitës në Kosovë, Baerbock do të udhëtojë në Serbi.

Me të është Manuel Sarrazin, i dërguari i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, të cilin Qeveria gjermane e emëroi në këtë pozitë më 18 shkurt 2022.

Go to TOP