Asamblisti nga Lista Serbe i akuzuar se nuk i deklaroi 13 toka, kërkon të hyjë në marrëveshje për pranim fajësie

Asamblisti i Listës Serbe në Komunën e Ranillugut, Nebojsha Gjorgjeviq, është shprehur i gatshëm të hyjë në marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Gjilan, për pranimin e fajësisë.

Një propozim të tillë, ai e ka bërë të martën, në seancën fillestare, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Vasilije Arsiq.

Prokurorja Huma Jetishi, nuk e ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke kërkuar nga gjykata që të jep një afat të arsyeshëm kohor për ta negociuar marrëveshjen.

Ndërkaq, gjykatësja Valbonë Dërvodeli, ka marr aktvendim me të cilin e ka aprovuar propozimin për shtyrjen e seancës, për tu dhënë kohë palëve në procedurë për të negociuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Gjorgjeviq.

Po që se palët nuk arrijnë marrëveshjen në një afat të arsyeshëm kohor, atëherë gjykata do ta procedojë lëndën tutje”, deklaroi gjykatësja Dërvodeli.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 18 maj 2021, ka ngritur aktakuë ndaj Nebojsha Gjorgjeviqit, duke e ngarkuar atë me veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK.)

Sipas aktakuzës, më 1 prill 2020, në kohë të papërcaktuar në Ranillug, i akuzuari Gjorgjeviq në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, Këshilltar i Asamblesë Komunale në Ranillug, duke qenë i detyruar me ligj të bëjë deklarimin e pasurisë për vitin 2019, dhe atë brenda periudhës kohore prej 1 deri më 31 mars 2020, por edhe me afatin e shtyer nga Qeveria e Kosovës për shkak të pandemisë Covid-19, i njëjti nuk e ka deklaruar saktë pasurinë që posedon.

Sipas prokurorisë, i akuzuari në formualin për deklarim të pasurisë të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) më 1 prill 2020, nuk i ka deklaruar pronat e tij dhe atë, 12 toka bujqësore dhe një tokë pyjore-mal, në sipërfaqe të përgjithshme prej 9,798 m2, pasuri kjo e regjistruar në Zonën Kadastrale në Ranillug, gjendje kjo që është vërtetuar me cetifikatën mbi pronën e lëshuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës./ Betimi për Drejtësi

Go to TOP