Apeli ia zbutë dënimin të akuzuarit për vrasje i cili ishte afër abuzimit seksual nga viktima

Gjykata e Apelit e ka ndryshuar vendimin për dënimin ndaj të akuzuarit Arjanit Berbati, të cilin Gjykata Themelore në Pejë, i kishte shqiptuar 8 vite burgim efektiv, ndërsa Gjykata e Apelit pas ankesës së mbrojtësit të akuzuarit e ndryshoi atë në 6 vite burgim.

Këtë vendim kishte marrë Gjykata e Apelit, me 8 mars 2022, duke i aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtësit të akuzuarit Arjanit Berbati, avokatit Dukagjin Kërveshit, ndërsa duke refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi’’, thuhet se Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, vetëm në vendimin mbi dënimin ashtu që të akuzuarit Berbati për veprën penale të vrasjes, e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me kohëzgjatje prej 6 vite burgim, ku në të do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndërsa pjesa tjetër e aktgjykimit nga shkalla e parë, mbetet e pandryshuar, si dhe ankesa e Prokurorisë Themelore në Pejë, u refuzua si e pabazuar.

Kundër vendimit të shkallës së parë, Prokuroria Themelore në Pejë, kishte parashtruar ankesë, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi dhe ndaj të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër, i cili do të ishe më adekuat dhe do të arrinte qëllimin e ndëshkimit.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Berbati, avokati Dukagjin Kërveshi, për shkak të vendimit mbi dënimin, kishte kërkuar që t’i aprovohet ankesa si e bazuar, dhe ndaj të akuzuarit t’i shqiptohet dënim sa më i butë.

Tutje, në aktgjykim thuhet se Prokuroria e Apelit, kishte paraqitur parashtresën me shkrim, me propozimin që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Pejë, dhe aktgjykimi të ndryshohet sa i përket dënimit dhe ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënim sa më i rëndë, ndërsa të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit.

Më pas, Gjykata e Apelit, kishte shqyrtuar aktgjykimin e ankimuar, detyrimisht në kuptimin e dispozitës së nenit 394 par.1 të KPRK-së, dhe vlerësoi pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Pejë, dhe mbrojtësit të akuzuarit së bashku me shkresat tjera të lëndës dhe pas vlerësimit të shkresave gjeti se ankesa e mbrojtësit të akuzuarit është pjesërisht e bazuar, ndërsa ankesa e Prokurorisë Themelore nuk është e bazuar.

Sipas aktgjykimit, sa i përket shkeljeve esenciale thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë nuk ankimohet për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, dhe se i njëjti nuk përmban shkelje, ngase nëse do kishte detyrimisht do të ishte kushtëzuar prishja e tij.

Nga ankesa e Prokurorisë Themelore në Pejë, thuhet se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese, mirëpo, përkundër kësaj ndaj të akuzuarit ishte shqiptuar dënim i ulët, duke cekur se dënimi i shqiptuar ndaj tij, nuk është në proporcion me peshën e veprës penale dhe pasojat e shkaktuara, si dhe nuk do të arrihet qëllimi i dënimit.

Kurse në ankesën e mbrojtësit të akuzuarit Berbati, avokati Dukagjin Kërveshi, kishte theksuar se dënimi i shqiptuar është tejet i ashpër, si pasojë e mos vlerësimit të gjitha rrethanave relevante.

Gjithashtu në ankesën e mbrojtësit, theksohet se përgjegjësia e të akuzuarit është domosdo e ulët, sepse sipas tij nuk ka të bëjë me dashjen eventuale dhe motivi që e ka shtyrë të akuzuarin ka qenë mbrojtja e integritetit trupor dhe moral për tu mos u dhunuar seksualisht nga një mashkull.

Sipas aktgjykimit thuhet se gjykata e shkallës së parë, me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, kishte vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese, ku si rrethana lehtësuese kishte marrë parasysh pranimin e fajësisë dhe moshën e re të akuzuarit, ku në atë kohë i njëjti kishte qenë 19 vjeçar.

Gjithashtu thuhet se i akuzuari kishte qenë i provokuar nga ana e viktimës, se nuk ka qenë i dënuar më parë për ndonjë vepër tjetër penale dhe keqardhjen e shprehur nga i akuzuari.

Ndërsa, si rrethana rënduese gjykata e shkallës së parë thuhet se ka vlerësuar se i akuzuari është fshehur dhe nuk është paraqitur në organet e drejtësisë për ta lajmëruar rastin, mirëpo i njëjti është arrestuar një muaj pas kryerjes së veprës penale dhe atë pas një pune operative të organeve të hetuesisë.

Nga aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, thuhet se vlerësimin e rrethanave lehtësuese dhe rënduese nga gjykata e shkallës së parë i pranon edhe Gjykata në fjalë, mirëpo çmon se gjykata e shkallës së parë me rastin e caktimit të lartësisë së dënimit i ka mbivlerësuar rrethanat rënduese dhe pse mbizotërojnë rrethanat lehtësuese.

Tutje thuhet se sipas përshkrimit faktik rezultoi se i akuzuari ishte i provokuar nga i akuzuari tani i ndjeri, i cili ishte në moshë shumë më të madhe se i akuzuari, duke cenuar integritetin seksual të akuzuarit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale sa i kishte mbushur 19 vjet.

Në këtë kontest Gjykata e Apelit mori parasysh edhe faktin se tani i ndjeri S.B. ishte i dënuar me aktgjykimin e formës së prerë për vepër penale kundër integritetit seksual, si me të drejtë pretendohet në ankesën e mbrojtësit të akuzuarit.

Prandaj, sipas rrethanave të përmendura të konstatuara nga gjykata e shkallës së parë, Gjykata e Apelit e ndryshoi aktgjykimin e ankimuar vetëm për vendimin për dënimin dhe të akuzuarit për veprën penale për të cilën u shpall fajtor i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 viteve.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Arjanit Berbati, më 5 shtator 2020, në Pejë, në rrugën ‘’Eqrem Qabej’’, nr.70, me dashje dhe me mjet të mprehtë-thikë e ka privuar nga jeta viktimën S.B.

Sipas aktakuzës, ditën kritike derisa i pandehuri ka qenë duke kaluar afër shtëpisë së viktimës, me të kaluar shtëpinë e viktimës dëgjon një zë dhe kur kthehet e sheh viktimën duke e thirrë dhe duke ia bërë me dorë, i pandehuri duke menduar se viktima ka nevojë për ndihmë, hyn në oborrin e shtëpisë së viktimës e nga aty më pas në shtëpinë e tij.

Në aktakuzë thuhet se pas hyrjes në dhomën e shtëpisë së viktimës, i pandehuri ulet në një krevat përballë kuzhinës, të cilin viktima e shërben me lëng, e më pas viktima shkon në korridor dhe e mbyll derën e korridorit me çelës, pasi që kthehet i drejtohet të pandehurit me fjalë ‘’Se pa bë çka të them unë ti nuk del prej këtuhit’’.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se viktima lëshon televizorin me program pornografik, e më pas fillon të vendosë dorën në organe të tij gjenitale duke i fërkuar të njëjtat, i pandehuri duke i parë ato veprime dhe duke e ndier vetën të pasigurt, ngritet nga krevati dhe afrohet tek lavamani, kinse për të pirë ujë.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari aty e merr thikën, e të cilën duke e mbajtur fshehurazi i afrohet viktimës, me ç’rast i pandehuri shkon pas fotelës e kapë viktimën për nofull duke ia kthyer kokën nga ana e djathtë e në atë moment e godet me thikë dy herë në qafë, një herë në anën e majtë të fytyrës, një herë në shpinë majtas afër boshtit kurrizor, një herë në shuplakën e dorës, lëndime këto vdekjeprurëse.

Go to TOP