Ambasadori gjerman: E drejta për t’u kthyer në shtëpi – e drejtë themelore e njeriut

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë se e drejta për t’u kthyer në shtëpi është e drejtë themelore e çdo njeriu.

“Ne kemi mbështetur kthimin e personave të zhvendosur në Kosovë për shumë vite. E drejta për t’u kthyer në shtëpinë tuaj është një e drejtë themelore e njeriut. Ndjej fuqimisht që këto vendime personale kanë nevojë për mbështetje të plotë dhe të pa politizuar nga të gjitha degët e qeverisë dhe të gjitha komunitetet e përfshira”, ka shkruar ai në Twitter.

Ky postim i tij vjen në kohën kur është ngritur padi ndaj Dragica Gashiq, e cila në fillim të qershorit të këtij viti, u bë serbja e parë që u kthye për të jetuar në këtë komunë.

Komuna e Gjakovës ka dorëzuar ditë më parë një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me anë të së cilës kërkohet “anulimi i kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme”, për Gashiqin.

Go to TOP