AGK-ja dënon gjuhën sulmuese të kryeministrit Kurti ndaj mediave

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi për medie, është shprehur i shqetësuar për gjuhën e përdorur nga kryeministri Albin Kurti për mediat në Kosovë.

Në reagimin e AGK-së thuhet se kryeministri Kurti po përpiqet të minojë kredibilitetin e mediave pa fakte e argumente.

“AGK e sheh me shumë shqetësim një përpjekje të tillë të papranueshme për të minuar kredibilitetin e mediave në Kosovë pa asnjë fakt dhe argument, duke hedhur akuza drejt mediave se “paguhen nga regjimet e kaluara” për kinse prodhimin e lajmeve të rreme dhe dezinformatave lidhur me Byronë për Verfikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim theksohet se në raportin e fundit të Reporterëve Pa Kufij, Kosova ka shënuar rënie drastike prej 19 vendesh sa i përket lirisë së shtypit.

“Andaj ftojmë kryeministrin Albin Kurti të përmbahet nga fushata të tilla dhe nga paralajmërimet e tij politike për përndjekje dhe mësymje ndaj mediave e gazetarëve mbi aludime të pa argumentuara, gjë që e përkeqëson edhe më tej situatën në vend sa i përket lirisë së medias dhe ambientit të të bërit gazetari”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP