Abdurrahmani akuzon ish-kryeshefin e Trepçës për sulmin, e quan kërcënim të rëndë me qëllim eliminimin

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani, dhe drejtori i administratës, Besim Haxhiu, janë sulmuar sot fizikisht në zyrat e kësaj ndërmarrjeje.

Abdurrahmani e ka akuzuar ish-kryeshefin e Trepçës, Rafet Ibishin, për këtë sulm, duke thënë se ky sulm kishte për qëllim dëmtimin e pronave të ndërmarrjes.

“Ne jemi sulmuar fizikisht në zyrat tona të punës nga ish kryeshefi Rafet Ibishi dhe një grup i tij mbi 50 60 persona që kanë hyrë në objekt dhe mbi 100 persona që kanë qenë jashtë objektit”, ka thënë Abdurrahmani në konferencë për shtyp.

“Fatmirësisht ky sulm kaloi me pasoja shumë të vogla, lëndime të vogla te unë dhe bashkëpunëtorët e mi, por ka qenë një kërcënim shumë i rëndë dhe një kërcënim me qëllime të eliminimit dhe me qëllime të tjera që kanë pasur për qëllim që t’i dëmtojnë asetet dhe pronat e ndërmarrjes”.

Ai e falënderoi policinë e Kosovës për reagimin që tha se erdhi në një moment delikat pasi pohon se i kanë shpëtuar nga eliminimi dhe mbytja prej turmës.

“Si rezultat i incidentit të këtij incidenti ne si menaxhment dhe si bord në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kemi bërë identifikimin e personave që kanë qenë të përfshirë në këtë incident, dhe se janë marrë masat e duhura për suspendimin e tyre prej punës deri në një vendim nga gjykata”.

“Unë u bëj thirrje të gjithë punëtorëve të ndërmarrjes ‘Trepça’ që ta kenë të qartë dhe ta dinë që përzgjedhja e kryeshefit është e drejtë ekskluzive e qeverisë së Kosovës dhe e bordit, dhe se nënshkrimi i marrëveshjes së terminalit nuk është asgjë tjetër pos përfitim dhe një vlerë shtesë për ndërmarrjen ‘Trepça’.

Ai u bëri thirrje punëtorëve të Trepçës që të kthehen në vendet e tyre të punës, si dhe që t’i respektojnë rregulloren dhe aktet ligjore.

Go to TOP