Abdixhiku: Çmimi i rrymës u rrit me urdhër të Qeverisë Kurti, tarifa e lirë ka rritje 104%

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se ZRrE ka rritur çmimin e energjisë elektrike nën urdhrin e Qeverisë së Kosovës. Ai tha se vendimi i sotshëm për shtrenjtimin e energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovat në orë është vendim i qeverisë Kurti i kamufluar përmes Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Abdixhiku deklaroi se vetëm tarifa e lirë e energjisë ka pësuar rritje për 104%.

“Kjo konferencë është si rezultat i vendimit të sotëm të bërë publik, vendim i Qeverisë, i kamufluar nën petkun e ZRrE-së për shtrenjtimin astronomik të energjisë elektrike në Kosovë. Ky vendim i kamufluar përmes ZRrE-së, parasheh që çdo shpenzim mbi 800 kilovat në orë do të paguajnë tarifën e shtrenjtë nga 6.75 cent sa është sot në 12.5 cent, pothuajse dyfshi më shtrenjtë. Ndërkaq tarifën e lirë nga 2.89 cent sa është sot në saktësisht 5.9 cent apo 104% më shtrenjtë”, ka thënë ai.

Për sa i përket qeverisë, lideri i LDK-së tha se qeveria i ka injoruar brengat e qytetarëve.

“Ndryshimet simbolike të ZRrE-së të diktuara nga qeveria Kurti i injorojnë me arrogancë brengat e qytetarëve tanë. Këto brenda janë shtuar që nga dita e parë e paralajmërimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe janë shpërfillur pa ndonjë arsyetim nga propozimet e dërguara të qeverisë”, ka thënë më tutje Abdixhiku.

Lidhur me ndryshimin e vendimit të ZRrE-së që shtrenjtimi i rrymës të bëhet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat në orë, Abdixhiku tha se është një diferencë simbolike.

“Diferenca nga 600 kilovat në orë në 800 kilovat në orë, e nga 14 cent sa ishte në fillim në 12.5 cent është diferencë simbolike pra diferencë e pavërejtshme. Qeveria Kurti ka refuzuar të dëgjojë për pa përballueshmërinë e qytetarëve tanë të gjitha atyre që shpenzojnë mbi 800 kilovat në orë, e që janë ¼ e popullsisë së Kosovës”

Disa fjalë ai i pati edhe për Kurtin. Ai tha se zgjidhje të mirë nuk mund të ofrojë një kryeministër që mendon se rryma është e lirë.

“Natyrisht që zgjidhje të mirë nuk mund të jap një kryeministër që mendon se rryma është e lirë. Ai që mendo se rryma është e lirë s’mund të jap zgjidhje të mirë. Zgjidhje të mirë nuk mund të jap një kryeministër që breng e ka se si t’i gjejë paratë për buxhet. E jo ku do të gjejnë qytetarët tanë paratë për ta përballuar këtë krizë të madhe”, tha ai.

Abdixhiku ka konfirmuar se kanë nisur mbledhjen e 40 nënshkrimeve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme lidhur me vendimin e sotëm të  ZRrE-së.

“Kemi nisur mbledhjen e nënshkrimeve, 40 nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme në mënyrë që Kuvendi të dalë me qëndrim që e refuzon këtë vendim të ZRrE-së. Do të kërkojnë edhe shkarkimin e Bordit të ZRrE-së të vendosur nga qeveria Kurti e që gjatë kësaj kohe kanë treguar jokompetencë të plotë”, ka thënë ai. 

Go to TOP