167 biznese përfituese të makinerive prodhuese dhe përpunuese
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nënshkruar marrëveshje të grant-skemës për përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, në vlerë prej 4.4 milionë eurosh.
Sipas kësaj ministrie, gjithsejtë 167 biznese do të jenë përfituese të grant-skemës.
Kryeministri Albin Kurti tha se me mbështetjen e këtyre ndërmarrjeve do të zhvillohet ekonomia e vendit e do të rriten bizneset.
“Me përkrahjen financiare po ofrojmë mbështetje direkte për blerjen e makinerive dhe pajisjeve. Ato do të ndihmojnë që ndërmarrjet të zhvillohen dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtutjeshëm të ekonomisë por edhe në rritjen e bizneseve. Krijimi i një mjedisi të favorshëm të të bërit biznes mbetet prioritet i pandryshuar. Gjatë tri viteve të fundit përkrahja për industrinë prodhuese është rritur ndjeshëm”, shtoi i pari i ekzekutivit.
Ndërsa e para e dikasterit të Industrisë, Rozeta Hajdari deklaroi se tri vite më parë vlera e grantit ishte 500 mijë euro.
“Kjo mbështetje synon të ndihmojë bizneset që të zhvillohen dhe të rrisin konkurrueshmërinë. E kemi kuptuar që zhvillimi industrial është qenësor për një Kosovë të qëndrueshme me një shoqëri të shëndoshë, demokratike dhe shumë moderne. Për herë të parë kemi arritur vlerën në 4.4 milionë euro. Kjo grant skemë ishte me vlerën 500 mijë euro në vitin 2021.
Gjatë ceremonisë u tha se 90 biznese përfituese janë të reja.