16-vjeçari me origjinë nga Kosova akuzohet në Zvicër për terrorizëm

Një 16-vjeçar, shtetas italian me origjinë kosovare, dhe një 15-vjeçar zviceran me prejardhje kurde, të arrestuar në Schaffhausen, akuzohen se kanë planifikuar një sulm.

Pas arrestimit të dy të rinjve të dyshuar si bashkëpunëtorë të ISIS-it, kanë dalë në dritë detaje të reja, përfshirë edhe aktivitetet e tyre në internet.

Siç raportojnë mediat helvetike, dy adoleshentët janë arrestuar në Kantonin e Schaffhausenit gjatë fundjavës së Pashkëve.

Sipas informacioneve të reja, djali me origjinë nga Kosova ka qenë aktiv në rrjetet sociale. Instagram adoleshenti e quante veten, ndër të tjera, “Il Bomber di Instagram” (italisht, “Bombarduesi i Instagramit”).

Autoritetet zvicerane besojnë se kjo nofkë mund të ketë lidhje me hobin e tij, lojërat. Thuhet se ai ka ngarkuar një video lojërash në YouTube.

Megjithatë, “CH Media” shkruan se arrestimet e dy adoleshentëve kujtojnë 15-vjeçarin që plagosi rëndë me thikë një hebre në Cyrih. Ai e quajti veten bë internet “Ahmedi, Kasapi” dhe u betua për besnikëri ndaj IS.

Sipas raportit, kjo nuk është rastësi. Sepse IS po kërkon posaçërisht për talentë të rinj në platformat e lojërave.

16-vjeçari me origjinë nga Kosova është rritur në Itali. Ai, në rrjetet sociale ka postuar foto me flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë dhe foto duke e bërë shqiponjën me duar.

Ndërkaq, më pak dihet për 15-vjeçarin zviceran që u arrestua në Schaffhausen. Thuhet se ai ka rrënjë kurdo-turke dhe ishte aktiv edhe si gamer (lojëra në internet).

“16-vjeçari italian dhe familja e tij jetojnë shumë pranë Shoqatës Kulturore Islame. Aty frekuentojnë edhe përkrahësit e njohur të IS. Mësohet se 15-vjeçari zviceran jeton vetëm pak minuta larg. Se si u radikalizuan saktësisht të rinjtë është ende objekt hetimi”, shkruan media zvicerane.

Përveç dy të rinjve në Schaffhausen, është arrestuar edhe një 18-vjeçar në Thurgau.

Go to TOP