12 pjesëtarë të FSK-së certifikohen për sistemet e komunikimit Harris

Dymbëdhjetë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses Kursin e Komunikimit Niveli 2, duke avancuar njohuritë dhe aftësitë e tyre në konfigurimin, instalimin, programimin dhe funksionalizimin e sistemeve të komunikimit Harris.

Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë trajnimit kursantët janë aftësuar në përdorimin e sistemeve moderne të komunikimit ushtarak, të cilat mundësojnë komunikim të sigurt, të besueshëm dhe efektiv gjatë operacioneve, ushtrimeve dhe aktiviteteve të ndryshme taktike.

“Sistemet Harris përdoren gjerësisht nga forcat e armatosura të vendeve partnere dhe kontribuojnë në ndërveprueshmërinë ndërmjet njësive dhe partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, realizimi i këtij kursi kontribuon në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit të komunikimit dhe në forcimin e aftësive operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Po ashtu, trajnimi synon të sigurojë mbështetje më efektive për komandimin dhe kontrollin në të gjitha nivelet e operacioneve.

Go to TOP