​Tensionet Rusi-Ukrainë, Janev: S’ka nevojë të vendosen forcat e NATO-s në Bullgari

Sofja zyrtare nuk e sheh nevojën për të vendosur trupa të NATO-s në territorin e saj si përgjigje ndaj akumulimit të forcave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën, deklaroi sot ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Stefan Janev.

Ai konfirmoi raportet se opsione të ndryshme po diskutoheshin brenda NATO-s, duke përfshirë praninë e trupave bullgare dhe rumune në Detin e Zi si pjesë e një misioni të quajtur Prezenca e Përmirësuar e Përparuar, në të cilin NATO tashmë po vendos trupa shtesë në shtetet baltike dhe Poloninë lindore, raporton Reuters.

“Pozicioni im është se një qasje e tillë mund të çojë potencialisht në një rritje të padëshirueshme të tensioneve në rajon,” tha Janev në Facebook, duke shtuar se nuk kishte asnjë arsye për të konsideruar vendosjen e trupave ruse një kërcënim të drejtpërdrejtë për Aleancën Veri-Atlantike dhe zonën e saj të ndikimit.

“Në këtë kuptim, nuk besoj se ka rrethana reale që mund të justifikojnë vendimin në lidhje me vendosjen e trupave shtesë në territorin e Bullgarisë”, ka shkruar Janev.

Ai shtoi se Bullgaria, e cila u bashkua me NATO-n në vitin 2004, do të monitorojë nga afër situatën dhe është gati të rrisë kapacitetin e forcave të saj të armatosura si pjesë e përpjekjeve të intensifikuara të parandalimit dhe mbrojtjes së NATO-s, nëse është e nevojshme.

Go to TOP