COVID-19 dhe migrimi kanë ndikuar në rënien e lindjeve në Kosovë
Pandemia COVID-19 ka ndikuar në rënien e lindjeve në gjithë botën përfshirë edhe Kosovën. Në Kosovë në uljen e shifrave të lindjeve ka ndikuar edhe migrimi i të rinjve.
Kështu u tha me rastin e Ditës Botërore të Popullsisë, në një tryezë të organizuar nga UNFPA në bashkëpunim me Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, me temën “Të drejtat dhe zgjedhjet janë përgjigja. Qoftë rritja apo zvogëlimi i numrit të foshnjave, zgjidhja për të ndryshuar normat e lindshmërisë qëndron në prioritizimin e shëndetit dhe të drejtat riprodhuese të të gjithë njerëzve”.
Udhëheqësja e Zyrës së Fondi për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) në Kosovë, Visare Mujko-Nimani tha se COVID-19 e ka përshpejtuar trendin global drejt niveleve më të ulëta të lindjeve.
Mujko-Nimani tha se në uljen e lindjeve në Kosovë ka ndikuar edhe aspekti i migrimit, prandaj ajo kërkoi që institucionet e vendit të krijojnë politika të qartë që do ndihmojnë të rinjtë në planifikimin e të ardhmes së tyre.
“Të gjithë e dimë që pandemia COVID-19 mund ta ketë përshpejtuar së paku përkohësisht trendin global drejt niveleve më të ulëta të fertilitetit. Statistikat tregojnë një rënie të mprehtë të numri të lindjeve në shumë vende evropiane në fund të vitit 2020 nëntë muaj pas mbylljeve të para. Lajmet në lidhje me rënien e lindjeve nga COVID-19 kanë nxitur ankth dhe shqetësim në disa shtete, goditja e pandemisë dhe ndikimi i saj në zgjidhjen riprodhuese të njerëzve erdhën në një kohë kur nivelet e lindshmërisë veçse ishin shumë të ulëta në mbarë botën”.
” Në Evropën Lindore ky problem është rritur edhe nga emigracioni. Njerëzit jo vetëm që nuk kanë fëmijë por edhe janë larguar masivisht nga vendet e tyre në kërkim të mundësive më të mira diku tjetër, për pasojë popullsitë e këtyre vendeve janë zvogëluar. Edhe Kosova si gjitha vendet e Ballkanit po përballet me çështjen e migrimit dhe institucionet duhet të krijojnë politika që do ofrojnë një mjedis në të cilin të rinjtë kosovar do të ndihen të sigurt për të planifikuar të ardhmen e tyre dhe për të krijuar familjen e tyre”, tha ajo.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku tha se pandemia edhe në Kosovë ka ndikuar në rënien e fertilitetit dhe u shpreh se Qeveria e Kosovës ka ndërmarr masa konkrete për ringjalljen ekonomike që do ndikoj edhe në mirëqenien e qytetarëve dhe planifikimin familjar.
Ajo tha se si qeveri po punojnë në luftimin e krimit dhe korrupsionit me qëllim që të krijohen më shumë për të rinjtë.
“Mendoj që si parakusht që ne t’i realizojmë të gjitha këto është që vërtetë njëri nga zotimet kryesore që i kemi dhënë në fushatë dhe do i qëndrojmë besnik deri në fund është që mos të keqpërdoret paraja publike sa do që kemi qenë edhe të varfër ne më shumë kemi qenë të vjedhur dhe unë supozoj se qeveria mazhoranca aktuale e ka luftimin e krimit, korrupsionin e organizuar institucional nëse arrijmë këto t’i minimizojmë mendoj që do kemi shumë më shumë mundësi t’i mbështesim këto familje që të vendosin të rinjtë dhe të rejat që të krijojnë familje dhe të mbesin këtu që popullata të rritet në mënyrë të natyrshme duke e parë perspektivën jo me shtytje por të mundësojmë edhe në ruajtjen e shëndetit riprodhues”, tha Kollçaku.
