Zyrtarë amerikanë dhe izraelitë diskutojnë për Iranin

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett ka rikonfirmuar kundërshtimet e Izraelit ndaj negociatave për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Ai i ka bërë këto komente në një takim me Këshilltarin amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.

Sullivan i ka thënë Bennettit më 22 dhjetor se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë në një “pikë kritike” për një mori çështjesh dhe se duhet të hartojnë një strategji të përbashkët.

Udhëtimi i Sullivanit në Izrael vjen teksa negociatorët kanë raportuar se bisedimet në Vjenë për ringjallje të marrëveshjes janë duke u zhvilluar me ritëm të ngadalshëm.

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara pasi, sipas tyre, koha që i duhet Iranit për të krijuar armë bërthamore është bërë e shkurtër dhe kjo është e papranueshme.

Zyra e Bennetit ka thënë përmes një deklarate se ai dhe Sullivan kanë diskutuar për Iranin dhe përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen.

Izraeli ka kritikuar vazhdimisht bisedimet në Vjenë.

Rundi i fundit i bisedimeve është mbajtur më 17 dhjetor dhe ato pritet të vazhdojnë javën e ardhshme.

“Ajo çfarë ndodh në Vjenë ka ndikim të madh për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe për sigurinë e Izraelit në vjetët në vazhdim”, i ka thënë Bennett Sullivanit.

Uashingtoni është larguar nga marrëveshja bërthamore më 2018 dhe Irani ka rikthyer disa aktivitete bërthamore, të cilat ishte zotuar se do t’i ndalte.

Irani mohon se është duke krijuar armë bërthamore.

Presidenti amerikan, Joe Biden është shprehur i interesuar që SHBA-ja të jetë sërish pjesë e marrëveshjes, nëse Irani e zbaton atë plotësisht.

Go to TOP