Zyrtar policor përfshihet në rastin e rrëmbimit në Veternik, arrestohen gjithsej tetë persona
Pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga hetuesit policor, është zbuluar se në rastin e rrëmbimit të raportuar më 19 shtator 2025 në lagjen Veternik të Prishtinës dyshohet të jetë i përfshirë edhe një zyrtar policor.
Menjëherë pas këtij zbulimi, është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), i cili në bashkëpunim me hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë ka arritur të sigurojë prezencën e personave të dyshuar.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar një armë zjarri dhe një lodër që imiton armën automatike AK-47. Me vendim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, katër personave të ndaluar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Si pjesë e procedurave administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit policor të dyshuar për përfshirje në këtë rast.
Hetuesit policor dhe ata të IPK-së, në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, po vazhdojnë veprimet e mëtejme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit.
Numri i përgjithshëm i personave të arrestuar lidhur me këtë ngjarjeje ka arritur në tetë. /Kosova.info/
