Zogaj: Shfuqizimi i vendimit për kompanitë private të pastrimit është tendencë për të bllokuar kryeqytetin
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, gjatë një mbledhje të Kuvendit Komunal, ka sqaruar rëndësinë e përfshirjes së kompanive private në menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Ai theksoi se diskutimi rreth një paragrafi që lejon angazhimin e kompanive private për t’i ndihmuar ndërmarrjes publike “Pastrimi” po bëhet në mënyrë të paqartë.
“Më lejoni ta lexoj paragrafin për të cilin po flasim, sepse po i fshihemi paragrafit, duke e quajtur paragraf, e pa e lexuar mirë. Paragrafi po citoj: “Komuna e Prishtinës mund të angazhojë kompani tjetër për t’i ndihmuar kompanisë regjionale të mbeturinave “Pastrimi”, në rast të vështirësive gjatë operimit.” Çka këtu problematike, kolegë të nderuar? Ku është këtu problemi?” pyeti Zogaj.
Ai nënvizoi se qyteti është përmirësuar në muajt e fundit falë bashkëpunimit mes kompanive private dhe publike.
“Gjendja në kryeqytet ka ndryshuar në muajt e fundit, për arsye se kemi angazhuar kompani private, pikërisht për t’i ndihmuar kompanisë publike, sepse nuk është në gjendje me e pastruar qytetin. Tash e kemi qytetin më mirë, sepse janë të angazhuara dy kompani dhe po i ndihmojnë njëra-tjetrës.”
Sipas tij, shfuqizimi i këtij paragrafi do t’i jepte monopol vetëm kompanisë “Pastrimi”, e cila po vuan nga mungesa e resurseve dhe menaxhimit.
“Në çoftë se ne e shfuqizojmë këtë paragraf, kjo nënkupton që i japim monopol vetëm kompanisë ‘Pastrimi’ për të pastruar kryeqytetin, e për fat të keq ajo kompani publike nuk është në gjendje ta bëjë këtë, sepse ka vetëm pesë kamionë funksionalë në javët e fundit.”
Zogaj gjithashtu theksoi se kjo lëvizje për shfuqizim është një tendencë për të bllokuar kryeqytetin.
“Shfuqizimi i kësaj pike, sikurse edhe pikat e kaluara, është tendencë bllokuese në kryeqytet. Nuk është tendencë për të zhvilluar kryeqytetin, është tendencë për ta bllokuar. Dhe bllokimi sot këtu ka emër, e ka të qartë emrin VV-PDK,” përfundoi Zogaj. /Kosova.info/