Zidane për goditjen e famshme me kokë ndaj Materazzit: Vetëm Bixente mund të më kishte ndalur, nuk jam krenar për atë që kam bërë

Legjenda e futbollit francez, Zinedine Zidane, ka thënë se i vjen keq për atë që ndodhi në finalen e Kampionatit Botëror të vitit 2006.

Në finalen me Italinë, ish-reprezentuesi i Francës e kishte goditur me kokë ish-reprezentuesin e Italisë, Marco Materazzin.

Deri te ky veprim i pahijshëm erdhi pas një shkëmbimi fjalësh mes dy ish-futbollistëve, ku pastaj Zidane e kishte goditur me kokë Materazzin në gjoks. Francezi ishte ndëshkuar me karton të kuq dhe për të kjo ndeshje ishte e fundit në karrierën si futbollist profesionist.

Në një intervistë të dhënë së fundi për “Marca”, ish-futbollisti dhe trajneri i Real Madridit pohoi se do të dëshironte të ndryshonte atë që ndodhi atë natë në Berlin të Gjermanisë, teksa e pranoi se ishte vetëm një moment tjetër i vështirë në karrierën e tij.

“Unë mendoj se (ish-shoku i skuadrës te Franca) Bixente Lizarazu është i vetmi që mund të më kishte mbajtur në atë moment. Do të kishte qenë e rëndësishme të ishte me mua, pranë meje, por nuk mund të kthehesh pas në kohë. Nuk jam krenar për atë që kam bërë, por është pjesë e karrierës sime. Ka gjithmonë momente të vështira dhe ky ishte një nga ato”, tha Zidane.

Ndryshe, Italia kishte triumfuar në finalen e Botërorit 2006 pa ekzekutimit të penalltive, me rezultatin 5:3

Go to TOP